E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zëdhënësit e Edit, provokatorë kundër shtetit ligjor

Kam parasysh një debat televiziv, ku përballë Ditmir Bushatit dhe Damian Gjiknurit, ndodheshin Artan Hoxha e Frrok çupi. Moderatorja ia kishte frikën se programi i saj do të dilte në cejtnot, për shkak të retorikës hartimore të Bushatit, i cili i përsëriste frazat jashtë argumentit, duke ndryshuar vetëm renditjen e fjalëve. Dhe jo vetëm në këtë emision. Nuk është bërë zakon që të monitorohet edhe tërësia e kohës, që të llogaritet koha që tejkalohet nga debatuesit që nuk janë në gjendje që të kontrollojnë etjen e madhe që të flasin sa më shumë, gjë që është në përpjesëtim të zhdrejtë me atë që quhet retorikë e të arsyetuarit. Kjo ka kuptimin e atij lokucioni popullor se fjalët e shumta janë fukarallëk. Pika më e nxehtë e debatit qëndron në atë nen të Kodit Zgjedhor (178.6), që bën fjalë jo për materialet zgjedhore të kutive, por për asgjësimin e votave të kutive, me afate kohore të përcaktuar dhe me arsyetimin se janë të njëjtat kuti votimi që do të duhet të jenë në gatishmëri për zgjedhjet e tjera eventuale. Djegiet e fletëvotimeve, në afat kohor të caktuar, kanë edhe firmën e Ramës. Ndërsa lakenjtë e këtij ulërasin: “Me djegien e fletëve, do të digjet edhe Berisha!”. Doktori, si kurdoherë, mban gjakftohtësinë ndaj këtyre provokimeve, të nxitura nga Rama (Duket se toleranca gjer këtu e ka kufirin).
Kjo është një nga pikat thelbësore nga më nevralgjiket, ku ngecet Edi Rama për të dalë kundër një dokumenti ligjor, në të cilin, për më tepër, është firmëtar. Këtu Edvini as që nuk ka parasysh se bie ndesh me firmën e tij, domethënë me vetveten!
Të kthehemi te “djegia”, që nuk është një shpikje shqiptare. Kjo pikë u sqarua me arsyetime ligjore, se synohet që të thyhet ligji (Kodi Zgjedhor është një dokument ligjor). Por mbështetësit e kësaj ideje s’e ndjenë nevojën që të zgjateshin; sepse arsyetimi i zëdhënësve të Edit, kërkonte që të motivonin një veprim, që binte ndesh me nenin e cituar të Kodit Zgjedhor. Sipas perceptimit të një dëgjuesi të zakonshëm, (por të paindoktrinuar, amà) dallohej qartësisht, sipas mendimit tim, sesi një veprim i jashtëligjshëm, na dashka simuluar si ligjor!
Më duhet të them mendimin e anës së majtë të panelit, përkundrejt shikuesit para ekranit. Ja “përligjja” e anës së majtë të panelit: “Vërtet Edvin Rama e ka firmosur (që do të thotë i ka dhënë një formë ligjore Kodit Zgjedhor), por kjo kishte ndodhur në kushtet kur gjendja nuk kishte kaluar në anormalitet, nuk ishte bërë kritike...”. (Nga cili?).
Por ajo që më duhet të shtoj është sesa e pavërtetë tingëllon ajo ndërkallje kushtëzimesh ndaj një dokumenti i cili, tashmë, ka marrë trajtë ligjore, ligj i cili u dashka të “ndërvaret” nga arsye kohore, aq më tepër kur kjo kohë, nga sanksionimi ligjor i dokumentit, në mosrespektimin e tij, është tejmase i shkurtër? Gjë që nuk të jep mundësinë që të quhet i vjetruar subjektivisht. Jam dakord se analogjitë nuk janë plotësisht të përputhshme. Megjithatë, po jap dy raste, për krahasim. I pari është i hamendësuar, që të qartësohet problemi: 1.Ndodh një krim i pangjarë. I gjithë opinioni publik është revoltuar gjer ku nuk mban më. Ia vënë fajin mungesës së dënimit me vdekje. Kërkohet gjithandej ekzekutimi i kriminelit të pashembullt. Por ja që gjykata nuk mund t’i japë dënimin kapital. Krimineli i përbindshëm dënohet me burg të përjetshëm. A mund të vendosë ndryshe gjykata, - një vendim me vdekje, për shembull, - me arsyetimin se “tashmë jemi në një rast të veçantë?”. 2.Tani po shqyrtojmë një rast jo të hamendësuar. Ka dalë një rregullore e re, sipas së cilës automjetet duhet të qarkullojnë me dritat elektrike të automjetit të ndezura, édhe ditën. Në të vërtetë kjo mbështetet në praktikën e mjaft vendeve europiane. Në Gjermani dhe në Austri, të paktën, këtë e kam vënë ré vetë. Veçse duket që ka qenë një eksperiment. Sepse statistikat treguan që një gjë e tillë është jo frytdhënëse në pakësim të aksidenteve. Kështu, para dy vjetësh, mos më shumë, në një rregullore të re, u hoq kjo klauzolë. Te ne, ka mbetur. Janë vënë nga policia rrugore gjoba të shumta, pa mbarim, paçka se kemi të bëjmë me harresa të pavetëdijshme nga përdoruesit e automjeteve. Dhe është gjëja më e lehtë që të kapesh në flagrancë, sepse kundërvajtja është menjëherë e dallueshme. “Arsyetimet” se edhe vendet që e kishin në kodin rrugor e kanë hequr, ndonëse kanë shpesh edhe mjegull, janë të pafrytshme: -“Je në kundërvajtje, je me dritat shuar”, - të thotë polici dhe diskutimet mbyllen me kaq. Aty për aty të bën fletëgjobën.
Tani hyjmë edhe në një hamendësim, që ka gjasa që të jetësohet edhe te ne; se s’mund të kemi ne përvojë më të pasur se të tjerët (dritat hapur, ditën për diell), për një gjë që s’ia vlen. Ka gjasa, pra, që në një rregullore të re të hiqet edhe në vendin tonë ndëshkimi për mosndriçimin ditën! Por shtrohet, megjithatë, një pyetje me shumë rëndësi: A do të rimbursohen të gjitha gjobat që janë vënë gjer tani? Kurrën e kurrës. Se rregullorja e re nuk ka (dhe nuk mund të ketë) veprim prapaveprues.
Atëherë, - le të vijmë te Kodi Zgjedhor, - që do të përmirësohet, natyrisht: A do të ketë ai fuqi prapavepruese? Assesi. Po të kishte një fuqi të tillë, do të mbyteshim nga fletët e votimit. Sepse të gjitha fletëvotimet e tetëvjeçarit të mallkuar (të mallkuar dyfish nga E.Rama,- sa për kronikë), do të duhej të rishqyrtoheshin një për një! Dhe e gjithë godina e Bashkisë së Ramës, nuk do të mund të përmbante veçse fletëvotimi kapicë, pa nxënë asnjë karrige për bé!
Doemos që në të tilla përfundime absurde do të mbërrinim, nga etja marroqe e Ed Ramës për të kërkuar të pamundurën, përmes shpërfilljes arbitrare të ligjshmërisë shqiptare. Ai premton se, po të përmbushej kjo lajthitje e radhës e tij, Shqipërisë do t’i davaritej ai nam i keq që vendi ynë ka marrë nga vetë Ed Rama dhe gjithçka do të shkonte për bukuri! Harron se do të merrte një përnjollosje që s’do të mund ta lanin dot të gjitha oqeanet e rruzullit: atë të shtetit joligjor!
A.Hoxha dhe F. çupi shpjeguan rrugëdalje të arsyeshme dhe ligjore për të dalë nga kriza (e Ramës), qartësime këto në mënyrë të thukët e të natyrshme dhe me arsyetime logjike që të bindin. LMN-ja, si një bashkësi elitare në krye të PS-së, me arsyetime ligjore nxori humbjen zgjedhore të Ramës dhe shkaqet thelbësore të kësaj humbjeje, gjithmonë për faj të tij. Por humbësi, me grusht të hekurt, me metoda antidemokratike dhe me mungesë absolute të transparencës (paçka se transparencën e ka bërë lajtmotiv!), brenda institucionit të tij, e asfiksoi këtë Lëvizje për Mendimin Ndryshe. Dhe tani nuk i ka mbetur veçse LPK-ja (Lëvizja Populiste e të Korruptuarve me para në dorë, siç e kemi parë ekraneve) për të thyer ligjshmërinë me greva ekzibicioniste të bllokimit të aksit kryesor të rrugëve, bash përballë Kryeministrisë, me çadra si në kohën e sulltanëve para betejës! Nuk ka ligj grevash në botë që të lejojë greva të tilla antiligjore. Por e thamë: vetë Rama është antiligjor dhe kërkon të vërë në provë durimin e një Shteti ligjor që, ç’është e vërteta, i ka bërë mjaft lëshime, të cilat ai i ka abuzuar, si kali i azdisur që merr frerin nëpër këmbë.
Ka një mori njerëzish, që ia kanë vath në vesh Ramës për atë prepotencën që ky të shpërdorojë të gjitha ligjet e shtetit, me ato vetëpërkedheljet e tij ekstravagante. ç’do të ndodhte, - sipas këtyre njerëzve, - nëse policia shtetërore do të kishte bërë copri fuoco dhe do të ngrinte një gardh në bulevard e nuk do të lejonte të zbarkoheshin, në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, çadrat haxhiqamiliste? Do të binte Rama policinë “e tij” bashkiake, që të vinte në zbatim, në mënyrë ultimative, projektin e tij antiligjor , bashkë me bllokimet e automjeteve, që vinin si pasojë? Le të bënte grevë brenda rrethojës së PS-së! Por a mund të konfrontohej një polici bashkiake me një polici të një shteti ligjor? Kjo gatishmëri e kacafytjes së gjelit me ariun, paçka se ariu është në të drejtën e tij, kurse gjeli në budallallëkun e vet, dihej sesi do të përfundonte. Por aní. Provokatori Rama atë donte. Që të “mallëngjente” të huajt, sesi nuk i lejoheshin atij të drejtat demokratike! (E harroi sesa demokrat u tregua me LMN-në!).
Kuptohet se dr. Berisha u tregua tepër i durueshëm. Nuk ra në provokimet e Ramës. Por njerëzit po vuajnë edhe sot nga gjeli kryeneç që kërkon të sfidojë ariun. Veprimet e paligjshme të këtij gjeli, e kanë bërë edhe në ditët e sotme bllokimin qarkullues të automjeteve (padyshim edhe të autoambulancave), në rrugët ku ecet me 2 km/orë, apo nuk ecet fare! Njëri nga ata të morisë së njerëzve, për të cilët folëm, dëshmon se një i aksidentuar kishte vajtur me një autoambulancë, me vonesë të tejmasshme, në spital, ku kishte marrë këtë përgjigje nga kirurgu: -Të kishit ardhur njëzet minuta më parë, pacienti do të kishte shpëtuar. Ka humbur shumë gjak. Tani është në koma ireversibël. S’kemi ç’t’i bëjmë!
A janë të justifikueshme këto veprime antiligjore të Ramës?
***
Veprimet jashtëligjore të Edvinit nuk kanë të sosur. Pasuesit e tij nuk mund t’i japin portretin e një engjëlli, kur ai është një djall me brirë kundër interesave të kombit të tij. Me të gjitha këto që po bën, ka kapadaillëkun të bëjë edhe deklarata të tilla: “Nëse nuk bëhet liberalizimi i vizave, fajin e ka Berisha!”. Kush është ky, që na flet nga maja e Olimpit dhe bën édhe penguesin, édhe përgjegjësin e fajit? 20 mijë komisionerët e tij i ka përgojuar si tradhtarë! A e njeh ai prezumimin e pafajësisë? Ku i ka provat! I kërkon provat në kutitë e votimit! “Më jepni provat, që t’i akuzoj ata!”. Ne ç’legjislacion të botës ndodh një padi e tillë penale? Kjo nxjerr, në të vërtetë, edhe një ndërkallje djallëzore. Cili pranon të bëhet, në të ardhmen, komisioner i këtij akuzuesi pa prova? Do të pranojnë vetëm ata të pandershëm, që e kuptojnë se ku rrahin synimet cinike të shefit të tyre i cili, në thyerje të ligjit (nenit 28 të Statusit të PS-së), arriti në majë të kupolës. Kështu armata njëzetmijëshe e njerëzve që u paditën padrejtësisht, do të zëvendësohet me këta zullmxhinjtë e bojkotit dhe të grevave me turne, që ia kanë kuptuar synimet ustait: do të jenë komisionerë të kallëpit të marionetave kontestuese: “Kjo votë është e pavlefshme, se e ka kryqin paksa jashtë katrores ku duhet vënë shenja; kjo tjetra duhet anuluar, sepse paska një përthyerje në cep të fletëvotimit; ja edhe kjo, që nuk përmban ngjyrën e stilokalemit me ngjyrë të zezë, të këndit të fshehtë, por me ngjyrë blu, vetjake...Kjo, për votimet e padëshiruara. Për votimet e kundërta, do të mundohen të quajnë të vlefshme edhe ato që, objektivisht, mund të jenë të pavlefshme. Në kundërshtim me ato që thotë Rama, se do të krijohen zgjedhje të lira e të ndershme, sipas tertipeve të sugjeruara nga ai, në të vërtetë do të sajohet një precedent i ri, i rrezikshëm: ai i një sherrnaje masive, që do të vërë para ngjarjesh të papritura edhe komisionet zgjedhore vendore, edhe KQZ-në! Nga predikues i parajsës së zgjedhjeve, do të na gatuajë një ferr zgjedhor!
Ramiz Alia do të fërkojë barkun! Enverizmi i tij, i shprehur me fraza hipokrite, do të materializohet me një vëllim të ri, ku demokratët properëndimorë do të bëhen sërish mish për top, si në kohën e luftës së klasave të Nexhmije Hoxhës.
Por këto janë vetëm iluzionet e E. Ramës. Demokratët po ndërgjegjesohen gjithmonë e më tepër për t’ ua vënë kufijtë te thana këtyre nostalgjikëve të pandreqshëm. Ligjet e Shtetit nuk mund të merren nëpër këmbë e të bastardohen sipas orekseve psikopatike të një personi, që ka interesat e veta vetjake përmbi aspiratat e një kombi, për të ruajtur me çdo kusht karrigen e tij që është ngërthyer nga valët sizmike që po ia gërryejnë atë ofiq të pamerituar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›