E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrogat, bojkotuesit e PS letër Topallit

Deputetët socialistë kërkojnë nga Kuvendi të saktësohet statusi i tyre. Prej 7 ditësh deputetët Alfred Dalipi dhe Erjon Braçe i kanë kërkuar sqarime Kuvendit për statusin e tyre aktual si detyrimet, përgjegjësitë dhe përfitimet që rrjedhin nga ky status. Mesa duket bojkoti i deputetëve socialistë ka krijuar një situatë të re ligjore e cila është ende e paqartë.
Sipas z.Braçe dhe Dalipi kërkojnë sqarime kundrejt pozicionit që ata kanë sot pasi nëse klasifikohen si deputetë ata prej dy muajsh duhet të marrin pagën dhe të gjitha përfitimet e një deputeti dhe nga ana tjetër nëse ata nuk janë deputetë duhet të përfitojnë trajtimin financiar si ish-deputetë.
Sot Kuvendi i ka paguar të gjithë ish-deputetët sipas ligjit me 50% të pagës që kanë patur, ndërkohë që deputetët socialistë të cilët nuk kanë bërë ende betimin e deputetit nuk kanë përfituar nga ky status dhe po ashtu ata për shkak të mos realizimit të betimit nuk kanë marrë as pagën e deputetit.
Nga ana tjetër Kuvendit pritet t'i drejtohet edhe një tjetër deputet socialist për sqarimin e statusit aktual të tij. Mësohet se edhe Andis Harasani do t'i dërgojë një letër Kuvendit për të qartësuar mandatin e tij si deputet dhe momentet kur ky mandatë rrezikon të digjet.
Po mbushen rreth dy muaj nga fillimi i legjislaturës së re dhe 64 deputetët socialistë ende nuk kanë shkuar në Parlament për të bërë betimin moment ky që ka ngritur shumë pikëpyetje mbi statusin e tyre dhe mandatet që ata mbajnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›