E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrokaj: Ndryshime, pa rrezikuar standardin

Dy ide të kundërta rreth të ardhmes së gjuhës shqipe u dëgjuan gjatë “Javës Albanologjike”, të mbajtur në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në Tiranë. Disa gjuhëtarë e akademikë mendojnë se shkrimi i gjuhës shqipe duhet të mbetet autentik, e disa të tjerë këmbëngulin në të kundërtën.

Sipas gjuhëtarëve, tashmë ka ardhur koha kur duhet të bëhet një verifikim i standardit të gjuhës shqipe, rishikimi i të cilit duhet të bërë në bazë të standardit ekzistues. Ndonëse kërkojnë që përmbajtja e standardit të pësojë ndryshime, të cilat do të vinin në përputhje me ndryshimin e fjalëve ndër vite, ata këmbëngulin që të standardi të mos cenohet.

Para se të merret iniciativa për të ndryshuar ato që duhen ndryshuar, paraprakisht duhet bërë një studim i ri, që lidhet me ndryshimet ndër dekada të vendit dhe popullit, ishte propozomi i disa akademikëve pjesëmarrës në takim.

Nga ana tjetër, profesori dhe dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Shezai Rrokaj, u bëri thirrje gjuhëtarëve shqiptarë që të mos bien viktimë e karremit të gjuhëtarëve të huaj.

“Të shmangemi nga fjalët e huaja dhe të jemi më të hapur për dialektizmat, që u përkasin krahinave të ndryshme. Njësimi i teksteve të gjuhës shqipe duhet të shtrihet edhe më tej se ai me Kosovën, duke e parë fqinjin me një këndvështrim të ri”, theksoi Rrokaj.

Sivjet, në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, si lëndë në fakultetet e Universitetit të Tiranës për herë të parë do të përfshihet edhe lënda e gjuhës shqipe. Përderisa aplikimi i saj do të fillimisht do të nisë vetëm në këtë institucion, parashihet që në vitin e ardhshëm akademik përfshirja e saj të shtrihet edhe në të gjitha institucionet tjera të arsimit të lartë publik në Shqipëri.

Ndryshe, në konferencën e akademikëve të fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, që u mbajt në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të shtetit shqiptar, mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj. Si historian, Hoxhaj në fjalimin e tij theksoi se Kosova u frymëzua nga pavarësia e Shqipërisë, dhe se në këtë proces integrues mes vendeve shqipfolëse nevojitet një bashkëpunim më i madh ndëruniversitar dhe ndërakademik.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›