S’i bashkohen PDK-së
Megjithëse në ditën e sotme është raportuar se tre deputetët e Lëvizjes vetëvendosje, mund të kalojnë në Partinë që është duke e udhëhequr vendin, këtë e kanë mohuar për Indeksonline, secili nga ta, Alma Lama, Afrim Hoti dhe Afrim Kasolli.
Të tre njëzëri e kanë mohuar një kalim të tillë, që sipas tyre ky lajm ka qenë vetëm një shpifje e radhës për Lëvizjen Vetëvendosje.
Përderisa deputetja Alma Lama, e ka mohuar një gjë të tillë dhe nuk ka dashur të komentojë asgjë, në anën tjetër deputeti Afrim Hoti, ka kundërshtuar fuqishëm një kalim në Partinë e Hashim Thaçit.
Ky lajm Hotin e ka indinjuar thellë, duke mos e quajtur raportim korrekt, informatën e gazetës “Epoka e Re”e cila është bazuar vetëm në një burim, pa u munduar të marrë edhe versionin e tij.
“Përgjegjësia më e ndjeshme është se udhëheqësi i këtij mediumi më së pari është një paqavër, i cili është në ndikimin e shërbimeve të PDK-së, sepse s’ka asnjë të vërtetë në këtë shkrim”, ka theksuar Hoti.
Deputeti Afrim Hoti, ka thënë për Indeksonline, se këto shpifje, vijnë nga një një grup mafioz të cilët bëjnë presione politike dhe të tërheqjes së vëmendjes nga çështje të rëndësishme që janë duke ndodhur.
“Unë konsideroj se këto presione i bëjnë me qëllim të tërheqjes së vëmendjes, sepse PDK-ja i ka shumë keq punët brenda, dhe për shkak të bisedimeve që shiten copat e Kosovës, dhe që janë në bashkëpunim me SPS e Serbisë”, ka theksuar Hoti.
Hoti ka thënë se nëse, vetëm njëherë do ti kishte shkuar në mendje të kalojë në PDK, atehrë ai thotë se vetë do ta kishte bërë publike lajmin.
Ai ka thënë po ashtu se këto shpifje janë duke u bërë me qëllim të dëmtimit të personalitetit të tij dhe familjes së tij.
“Në radhë të parë këto shpifje po bëhen që të më dëmtojnë mua, personalitetin tim, që konsideroj se e vetmja është Vetëvendosje që është në vijën e drejtë dhe ka konceptin e drejtë politik dhe vizionarë. Për të cilën e dimë të gjithë se njeri prej këtyre vizionarëve dhe largpamës ka qenë Ukshin Hoti, e fatmirësisht unë jam vëllai i tij. Ata tentojnë që të përfitojnë përmes kësaj, dhe ta manipulojnë me emrin e Ukshin Hotit dhe me emrin e familjes së tij”, ka thënë Hoti.
I nervozuar ka qenë edhe deputeti tjetër i përfolur për një kalim të mundshëm në PDK, Afrim Kasolli, i cili e quajti një shpifje të ulët, e bërë nga disa njerëz që janë pro pushtetit.
“Këtë e bëjnë disa njerëz ku dihet që familjarët e tyre përfitojnë tenderë në Ministrinë e Arsimit, të cilët përfitojnë miliona nga buxheti i Republikës së Kosovës, dhe për mi bashku këto keqpërdorime flagrante të parasë publike tash merren me shpifje të ulëta kundër një formacioni politik, i cili në mënyrë konsekuente dhe kritike po i demaskon fytyrën e vërtetë të këtyre pushtetarëve hajna që janë në pushtet”, ka thënë Kasolli për Indeksonline.
Kasolli ka deklaruar se këto shpifje janë duke u bërë për ta zhvendosur vëmendjen në dy probleme themelore që është duke u përballur Partia Demokratike e Kosovës.
“E para: për t’i maskuar përçarjet e brendshme të cilat po dalin çdo ditë e më shumë në sipërfaqe, dhe e dyta: për t’i maskuar negociatat e padrejta politike që është duke i bërë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq. Pra ishin këta dy njerëz që në vitin 1999 në pushtet e ndanë pjesën veriore të Kosovës dhe janë po këta dy njerëz që do ta legalizojnë këtë ndarje. Ky koalicion i heshtur ndërmjet PDK-së dhe SPS tentohet të mbulohet më shpifje tjera politike”, ka thënë Kasolli.
Edhe deputeti Afrim Kasolli, ka mohuar që ndonjëherë të ju ketë ofruar një ofertë për aderimin e tij në PDK, duke thënë se kurrë nuk do të kishte kaluar në një bandë kriminale.
“Në asnjë rrethanë, sidomos në Partinë Demokratike të Kosovës, sidomos kur kjo tash është katandisur në një lukuni grabitëse dhe bandë kriminale, e cila është duke e kriminalizuar dhe politikën dhe shoqërinë Kosovare në të gjitha segmentet. Qëllimi im është që ta shkatërrojmë këtë bandë kriminale, e jo me ju bashkëngjit asaj”, ka thënë Kasolli.