Rropullitë e Piramidës
Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, në mes rrëmujës së punimeve. Në proces kinemaja dhe teatri të fiksuara në holl, ndërsa në ambientet e tjera nuk ka nisur puna
Disa grumbuj inertesh, sipërfaqe të tëra dyshemeje të zhveshura nga pllakat dhe struktura të mëdha metalike, përbëjnë panoramën e përgjithshme të asaj që pritet të jetë fytyra e re e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë, të paktën brenda vitit 2010. Kaotik duket holli ku kanë filluar të marrin formë ato që do të jenë sallat e kinemasë dhe të teatrit.
Që në hyrjen kryesore të Piramidës, në katin e parë, mund të marrësh me mend strukturën e kinemasë së ardhshme. Punimet kanë ngritur një mur gjysmë rrethor, brenda të cilit do të vendoset ekrani e ndenjëset e kinemasë. Vetëm kaq është realizuar për këtë pjesë të projektit.
Piramida nuk ka më "çati". Vendin e saj e ka zënë një rrjetë metalike gjigante, si e merimangës. Në pjesë të caktuara këto skelete ndërthuren me tuba prej alumini, janë gjurmët e para të një sistemi të madh kondicionimi. Me pak kujdes mund të shquash strukturën e një amfiteatri, një gjysmërreth, në të cilin sipas projektit do të vendosen rreth 500 ndenjëse.
Është premtuar që salla e teatrit dramatik që ka formën e një arene, të ketë akustikë të mirë, sistem ndriçimi arkitektonik, që përfshin ndriçimin direkt dhe indirekt, dekorativ dhe funksional, efektet optike dhe ndriçimin teknologjik apo teatral. Përballë është një pjesë e sheshtë. Punonjësit thonë se ky është vendi ku do të ngrihet skena.
Me sy të lirë duket sikur vetëm kjo hapësirë e teatrit zë plot dy kate të Piramidës. Kurse ajo që u premtua si qendër e arteve pamore, si degë e Galerisë Kombëtare që mund të shërbejë për muze (ndërkohë që GKA-ja e krijoi gjysmëmuzeun e saj) nuk duket gjëkundi.
Këto janë punimet që po kryhen në pjesën qendrore të hollit të godinës. Në pjesët e tjera duket se puna nuk ka nisur ende. Kështu, shkallët, nga të dyja anët, që të çojnë në kat të dytë e më sipër, ende janë si më parë.
Madje, nuk u është hequr as ngjyra e kuqe e parmakëve. Ndërsa në ambientet ku më parë ishte "Bar-Mumja", nuk duket asnjë lëvizje. Ky subjekt, së bashku me televizionin "Top Channel" (i cili pritet të shpërngulet në shtator të 2009-ës) zënë një sipërfaqe prej 13.000 m2, ndërkohë që vetë QNK-ja shtrihet në 4.000 m2.
Për shndërrimin e Piramidës në një qendër kulturore multifunksionale, Minstria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, një vit më parë akordoi një fond prej 700 milionë lekësh të rinj.
Fituesja e projektit për Piramidën u shpall firma shqiptaro-franko-amerikane "Louis Berger", ndërsa tenderi për zbatimin e tij u fitua nga firma greko-shqiptare "Orion SA & AK & Art", e cila, në bazë të kontratës do të kryejë punimet për 16 muaj.
Por ka kaluar ca më shumë se 12 muaj që nga koha e nisjes së punës dhe ende nuk është venë dorë në një pjesë të mirë të Piramidës dhe, sipas punonjësve, gjithçka do të përfundojë para verës së 2010-ës.
Piramida është projektuar si ndërtesë në vitin 1986 nga Klement Kolaneci, fillimisht si muze për Enver Hoxhën, pas vitit '91 mori emrin Qendër Ndërkombëtare e Kulturës. Ndërsa në të ardhmen mund të jetë një qendër kulturore multifunksionale, që përfshin kinema, auditorium muzike, sallë biblioteke-leximi nën tokë, etj.
Studentët tregojnë ç'kanë mësuar
Studentë të Fakultetit të Muzikës, nesër, në orën 19:00, japin koncertin e tyre të diplomës.
Orkestra e Simfonike e studentëve të Akademisë së Arteve drejtohet nga Ergys Mita. Në program "Simfonia nr 104" dhe "Koncert për piano dhe orkestër" nga kompozitori Joseph Haydn. Intreperton në piano Erjona Nurçelli.