Ish-arkivisti: SHIKU, nuk ruajti dokumente për Remzi Hoxhën
Ish- drejtori i SHIK-ut, Ahmet Koka, ka mohuar që shërbimi sekret të ketë ruajtur dokumentacionin e veprimeve të kryera për këtë rast
Dëshmitarët e tjerë të seancës së djeshme pohuan se nuk kishin dijeni rreth rrëmbimit të Loshajt, Hoxhës e Kristopullit
TIRANË- Shoqërimi i biznesmenit kosovar Remzi Hoxha nga pjesëtarët e SHIK-ut në vitin 1995 është pranuar nga i pandehuri Avni Koldashi dhe nga disa ish-agjentë të tjerë të asaj kohe gjatë fazës së hetimit gjyqësor që po zhvillohet pranë togave të zeza, por, në arkivat e këtij institucioni nuk është lënë asnjë gjurmë mbi këtë shoqërim.
Këtë e ka dëshmuar në seancën e djeshme gjyqësore pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda ish-drejtori i Drejtorisë së Arkivës së SHIK-ut në vitet 1992-1997, shtetasi Ahmet Koka, i thirrur me cilësinë dëshmitarit të organit të akuzës.
Gjatë dëshmisë së tij, Koka ka konfirmuar para gjykatës se rregullorja e SHIK-ut ishte e qartë, ku theksohej se çdo aktivitet "hetimor" i kryer nga agjentët e sigurimit arkivohej për mos publikim për disa vite ose për një afat të gjatë kohor.
Por, ka nënvizuar se në lidhje me shoqërimin apo rrëmbimin e shtetasve Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe biznesmenit kosovar që vazhdon të jetë i zhdukur, Remzi Hoxha, nga agjentët e SHIK-ut nuk është sjellë asnjë material që ne ta kemi arkivuar.
"Nuk kam arkivuar materiale për shtetasin Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj apo Ziso Kristopuli"-iu përgjigj dëshmitari Koka pyetjeve të njëpasnjëshme të prokurorit Xhevat Hana, mbi arkivimin apo jo të ndonjë materiali me emrat e viktimave të të pandehurve të kësaj dosjeje.
Gjithashtu, në fjalën e tij dëshmitari Koka ka sqaruar se në drejtorinë ku ai drejtonte nuk arkivoheshin materialet operative të agjentëve, por, vetëm materialet hetimore ndaj një subjekti.
"Arkivin e ish-Sigurimit të Shtetit e mbanim ne, ndërsa materialet e punës operative jo. Ne merreshim me punën arkivore. Çdo material që arkivohej ishte e përcaktuar në rregulloren e SHIK-ut.
Kjo rregullore përcaktonte qartë nëse materialet do t'i nënshtroheshin ruajtjes 5 a 10 vjeçare, apo ruajtjes së përhershme",-ka theksuar Koka, duke mohuar në mënyrë kategorike se në dikasterin që ai menaxhonte të kenë ardhur dosje për arkiv ndaj Hoxhës, Kristopulit e Loshajt.
Kjo dëshmi, sipas prokurorisë, përforcon argumentet se tre të pandehurit Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro e Avni Koldashi janë siguruar edhe për fshehjen e dokumenteve, pasi viktimat e tyre ishin vëzhguar e hetuar për disa muaj rresht.
Pas dëshmisë së ish-drejtorit të arkivës në SHIK, para togave të zeza me kërkesë të prokurorisë u paraqiten edhe katër ish-punonjës të SHIK-ut të asaj kohe. Mes tyre edhe ish-drejtori i SHIK-ut në Lezhë, Aleks Hasani, aktualisht me detyrë shef antidrogë në Drejtorinë e Doganës në Tiranë.
I pyetur nga prokurori Hana për mënyrën e funksionimit të degës së SHIK-ut në Vainë të Lezhës, ish-drejtuesi Hasani u shpreh se "në kohën kur kam qenë kryetari i SHIK-ut në Lezhë, gjatë vitit 1992-1997 unë nuk kam pasur dijeni për mënyrën e funksionit të saj pasi ajo bazë ishte e shërbimit sekret të degës së Tiranës dhe nuk ishte në vartësinë time",-ka theksuar Hasani. Ndërsa, për shoqërimin e Hoxhës, Kristopulit dhe Loshajt, dëshmitari Hasani u shpreh i prerë se nuk kishte dijeni, vetëm në media çfarë kishte dëgjuar.
Gjithashtu, edhe ish-agjentët e tjerë të SHIK-ut në periudhën e rrëmbimit të tre viktimave, Kadri Rrapi, Ilirjan Dema dhe Enver Misha të thirrur me cilësinë e dëshmitarëve gjatë ditës së djeshme para togave të zeza, kanë mohuar në mënyrë kategorike se kanë dijeni për rrëmbimin e shtetasve Remzi Hoxha, Ziso Kristopuli e Avdyl Loshaj.
Për rrëmbimin dhe torturimin e tyre të kryer në shtator-tetor 1995 akuzohen ish-drejtuesit e SHIK-ut të degës në Tiranë, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro e Avni Koldashi ndaj të cilëve po zhvillohet edhe procesi gjyqësor.
Në fund të seancës së djeshme, gjykata urdhëroi oficerët e policisë të kryejnë shoqërimin e detyrueshëm të pesë dëshmitarëve të tjerë të këtij procesi.