E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shijak, zjarr qendrës elektorale të PS-së

Tentohet të digjet njëra prej zyrave elektorale të PS-së në komunën e Xhafzotajt.


SHIJAK - Persona ende të paidentifikuar, gjatë orëve të natës, kanë tentuar të djegin njërën prej qendrave elektorale të PS-së. Ngjarja ka ndodhur në vendin e njohur si "4 rrugët e Shijakut", që i përket komunës së Xhafzotajt. Dhunuesit kanë spërkatur qendrën me lëndë djegëse dhe më pas i kanë vënë flakën.


Sipas ekspertëve të policisë, personat janë larguar menjëherë sapo ka marrë flakë pjesa e poshtme e qepenave, si dhe flamujt që ndodheshin të ngulur në shtiza anash pjesës hyrëse në këtë qendër. Ora kur është tentuar djegia është përcaktuar rreth 02:00, duke gdhirë dita e martë.


Por gjithçka është konstatuar rreth orës 08:30 nga punonjësit partiakë, të cilët kanë parë flamujt e djegur, si dhe derën kryesore të qendrës së dëmtuar me mjete të forta. Por teksa janë futur brenda, kanë parë që asgjë nuk është grabitur.


Ndërkohë, nga ana e grupit hetimor janë mbledhur të gjithë provat e mundshme materiale të gjetura në vendngjarje (një shishe me lëndë djegëse të llojit benzinë, si dhe një çakmak, një shkop i gjatë që është përdorur për t'u vënë zjarrin flamujve), të cilat do të ndihmojnë grupin hetimor për identifikimin e autorëve.


Në vendngjarje mbërriti edhe kandidati për deputet që kryeson listën për Qarkun e Durrësit, Blendi Klosi, dhe kryetari i PS-së në Shijak, Indrit Buka. Klosi e ka cilësuar ngjarjen të rëndë, ndërsa ka pohuar se gjithçka ishte e paralajmëruar, pasi edhe më parë ka pasur kërcënime në zyrat elektorale të PS-së.


Ai ka shtuar se fushata elektorale nuk duhet shoqëruar me ngjarje të tilla. Ndërkohë që sulm me prapavijë të qartë politike është cilësuar nga PS-ja e Durrësit edhe dëmtimi i posterave në lulishten pranë sheshit "1 Maji", si dhe në afërsi të Maozoleumit të Dëshmorëve në qendër të qytetit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›