Rrufeja djeg transformatorët, pa energji zonat turistike
VLORË- Shkarkimet elektrike të dy ditëve më parë, kanë nxjerrë jashtë funksionimit disa linja të energjisë elektrike në qytetin e Vlorës, ndërkohë që energjia vijon të mungojë edhe në zonat turistike, si tek Uji i Ftohtë, Plazhi i Vjetër dhe Skelë.
Mungesa gati tre ditore për zonën bregdetare ka sjellë shqetësime për bizneset që janë gjetur të papërgatitur për mungesën totale të energjisë. Pushues të akomoduar në disa prej hoteleve, kanë zgjedhur deri largimin, ndërkohë që zhurmat e gjeneratorëve kanë mbizotëruar sot në disa zona të qytetit.
Gjithçka ka ndodhur nga moti i keq i ditëve të fundit, ku jashtë funksionit janë dy transformatorë. Rilidhja e plotë është mundësuar për zonën te Kalaja, ku sipas të dhënave që vijnë nga Ndërmarrja elektrike e Vlorës, për këtë zonë është ndërhyrë shumë shpejt. Për zonën e Ujit të Ftohtë, është kërkuar ndihmë nga OSSH-ja qendrore në Tiranë për sjelljen e një transformatori tjetër.
Energjia në zonën e Ujit të Ftohtë është rikthyer për vetëm 30 minuta, ndërkohë që mësohet se në orët e vona të mbrëmjes një tjetër trasnformator doli jashtë funksionimit në zonën pranë Transballkanikes. Sot në Vlorë ka mungesa të energjisë në zonat: Uji i Ftohtë, Skelë, Plazhi i Vjetër. Burime nga OSSH-ja e Vlorës thonë se "pritet mbërritja e një transormatori të ri për të rikthyer energjinë elektrike".