Masakër brenda familjes në Tiranë, 4 të vdekur, mes tyre djali 13 vjeçar
TIRANË - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në mesditë në Tiranë. Një person ka vrarë vjehrrin, vjehrrën, djalin e tij 13 vjeçar dhe më pas veten. Të dhënat e para flasin se divorci mes çiftit është bërë shkak i kësaj ngjarje makabër.
Autori, Petrit Zaimi, ka shkuar në shtëpinë e vjehrrit, në Allias pranë Fakultetit të Mjekësisë dhe pasi ka debatuar ashpër me të vjehrrin, Hazbi Gjoni, e ka vrarë me psitoletën që mbante në brez. Të terrorizuar, vjehrra e autorit, Nadirja, bashkë me djalin 13 vjeçar, Klevisin kanë ikur me vrap. Plumbat nuk janë ndalur, autori ka ndjekur vjehrrën në rrugicën para shtëpisë duke e lënë të plagosur rëndë, por më pas vdiq në spital. Po kështu plumbat kanë marrë edhe të birin, që edhe ai vdiq pasi mbërriti në spital. Ende nuk është sqaruar nëse autori kishte për objket fëmijën e tij të vetëm, apo plumbat e kanë zënë aksidentalisht teksa qëllonte mbi vjehrrën.
Nga dëshmia e banorëve të zonës mësohet se pas këtij krimi të rëndë autori është kthyer në shtëpinë e vjehrrit duke qëlluar mbi veten. Plumbat e lanë të vdekur në vend.
Policia bën të ditur se po heton për shkaqet e kësaj ngjarje shumë të rëndë, me katër të vdekur të një familjeje. Po pyeten persona të familjes Gjoni dhe Zaimi. Paraprakisht thuhet se Petriti ishte i ndarë nga bashkëshortja, dhe divorci mund të ketë qenë zanafilla e kësaj tragjedie.