E Diel, 1 Nëntor 2026

Yzeiraj: Akti normativ për ligjin e akcizave mbron konsumatorët nga rritja e çmimit të karburanteve

TIRANË, 26 tetor/ATSH-Maela Marini/ Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj prezantoi sot para komisionit të Ligjeve aktin normativ për një shtesë në ligjin “Për akcizat”.

Sipas Yzeirajt emergjenca e hartimit të këtij akti normativ lidhet me zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe me krizën që kjo ka shkaktuar në çmimet e hidrokarbureve në botë.

Yzeiraj theksoi se ky akt normativ është një mekanizëm i përkohshëm dhe i kushtëzuar.

“Vetëm kur çmimi tavani i llogaritur nga Bordi i Transparencës kalon 200 lekë për litër për benzinën dhe 220 lekë për litër për gazoilin, vlera e akcizës për secilin prej këtyre produkteve ulet me 20 pikë. Efekti i plotë mbi çmimin që paguajnë konsumatorët është 9.45 lekë për litër”, tha ai.

Yzeiraj theksoi se ulja shkon tërësisht në xhepin e konsumatorëve.

“Mekanizmi funksionon veçmas për secilin produkt dhe afati i këtij mekanizmi është i përkohshëm. Mekanizma të tillë të ngjashëm janë aplikuar kudo në Bashkimin Evropian qoftë në periudhën e vitit 2022 kur nisi pushtimi rus ndaj Ukrainës, por edhe gjatë këtij viti. Vende si Gjermania, Kroacia apo Sllovenia kanë aplikuar masa të ngjashme. Masa që prezantojmë sot është më e limituar pasi fillon të funksionojë vetëm në një nivel çmimi të caktuar dhe nuk është kësisoj një masë universale”, shtoi ai.

Ndërkohë relatori i këtij ligji, deputeti socialist Ermal Pacaj theksoi se akti normativ hyn te masat e menjëhershme për të zbutur ndikimin tek konsumatorët final.

“Akti normativ nuk synon përafrimin me ndonjë akt të Bashkimit Europian. Ky akt normativ synon mbrojtjen e konsumatorit vendas të karburanteve nga rritja e çmimeve nëpërmjet uljes së nivelit të akcizës për gazoilin edhe benzinën”, theksoi ai.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›