“Rruga e 4 viteve të ardhshme, rruga e Shqipërisë evropiane”

Partia Demokratike mbledh grupin parlamentar, Kryeministri Sali Berisha falënderon deputetët
Kryeministri Berisha përshëndeti deputetët dje në mbledhjen e grupit parlamentar për fillimin e legjislaturës së re, të cilën e konsideroi tepër të rëndësishme, për kushtet e Shqipërisë, përballë sfidave të mëdha integruese dhe afrimit me vendet e BE. Berisha ritheksoi realizmin e projektit ëndërr të shqiptarëve brenda mandatit të dytë, ndërsa shprehu besimin e qeverisë, që pritet të dekretohet ditët në vijim, për mos ndaljen e kursit reformator.
TIRANE – Mbledhjen e parë të grupit kuvendor të demokratëve në legjislaturën e re, Kryeministri Sali Berisha e rezervoi për të falënderuar posaçërisht të sapozgjedhurit, ata që u rikonfirmuan apo dhe ata që nuk janë më ligjvënës.
Falënderimin kryeministri po aq për të theksuar se ky është mandati i vështirësive të mëdha për shkak të objektivave ambicioze më kryesori për integrimin në BE.
“Dëshiroj t’ju përcjell urimin më të përzemërt, falënderimin më të sinqertë, për zgjedhjen tuaj nga qytetarët shqiptarë si përfaqësues të tyre në Kuvendin e Shqipërisë dhe për kontributin tuaj në fitoren e koalicionit Aleanca e Ndryshimit, fitore kjo e një rëndësie shumë të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë e cilësoi legjislativin e ri, si të përbërë nga përfaqësuesit më dinjitozë dhe ka përbërjen më të mirë në tërë historinë e tij të pluralizmit politik.
“Edhe kjo është një arritje madhore. Në këtë Parlament ulen sërish personalitete të shquara të Partisë Demokratike, të cilët në vite, disa prej tyre që nga themelimi dhe disa të tjerë më vonë, kanë luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në përpjekjet e mëdha të kësaj force politike për konsolidimin dhe vendosjen e demokracisë së bazuar në vlerat e tregut, integrimin e Shqipërisë në institucionet euroatlantike dhe evropiane”, u shpreh kryeministri.
Në vijim, Berisha tha, se mandati i ri nis nga puna pasi Shqipëria është çliruar nga kthetrat e bandave dhe klaneve kriminale, si dhe ka vendosur treguesit e kriminalitetit nën mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
“Ne nisim sot punën pasi Shqipëria, e cila dergjej në kënetën e një megakorrupsioni dhe informaliteti të paimagjinueshëm, u shpall kampione për reformat e saj në luftën kundër korrupsionit. Ne nisim sot punën pasi një revolucion fiskal u faktua absolutisht si më i suksesshmi që mund të jetë faktuar ndonjëherë në ndonjë vend tjetër”, tha Berisha.
Kryeministri cilësoi se viti 2009 ka një buxhet pothuajse të dyfishtë duke e krahasuar me atë të vitit 2004. Ndërsa shtoi se Shqipëria është kthyer në vend tërheqës për investimet e huaja.
“Ne nisim punën pasi Shqipëria, më e papërfillshmja në Evropë dhe në rajon për investimet e huaja, ka realizuar një ecje të shpejtë përpara dhe vetëm vitin që kaloi ka firmosur miliarda euro kontrata me biznese të mëdha ndërkombëtare. Ne nisim punën, pasi në të gjitha fushat kemi arritur disa nga standardet bazë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, theksoi kryeministri.
Në arsim, tha Berisha, nga një vend me 12 studentë për 1000 banorë, ne kemi sot 30 studentë për 1000 banorë dhe këtë vit mund t’i afrohemi shifrës 40 studentë për 1000 banorë.
Duke iu referuar reformës në sistemin shëndetësor, kreu i ekzekutivit u shpreh se janë hedhur bazat për një reformë të sigurt dhe të suksesshme.
“Në katër vitet e ardhshme, tha kryeministri, do t’u faktojë qytetarëve se janë dhe mbeten përparësi, sepse pa një zhvillim të qëndrueshëm rural nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar”.
Berisha tha se nisim punën pasi kemi realizuar ëndrrën e kombit, korridorin Durrës-Morinë, i cili ka qenë një ëndërr e hershme e shqiptarëve dhe sot është realitet.
“E tërë infrastruktura e vendit është në rindërtim e sipër”, vlerësoi Berisha.
Kosova e pavarur, shtoi kryeministri, është një tjetër ëndërr kombëtarë që tashmë preket si realitet.
“Kosova e pavarur është sfidë dhe vepër e qytetarëve të Kosovës dhe lidershipit të saj. Por, ne e bëmë me vendosmëri atë ç’ka na takonte”, tha kreu i qeverisë.
Kryeministri Berisha, bëri këtë përmbledhje për të shprehur edhe njëherë mirënjohjen më të thellë ndaj deputetëve të legjislaturës së kaluar dhe ndaj zyrtarëve të të gjitha niveleve të Administratës së këtij vendi.
“Por, tha kreu i qeverisë, më duhet të theksoj se ndonëse stacioni nga i cili ne nisim sot punën është shumë herë më lart dhe i vendosur në një horizont krejt tjetër, krahasuar me atë të katër viteve më parë, orbita në të cilën ne jemi të vendosur ka një hapësirë shumë më të madhe dhe horizonti që duhet të kapim këto katër vite është mjaft më e lartë. Vështirësitë që duhet të përballemi janë të mëdha”.
Berisha cilësoi se për mbarë shqiptarët, projekti më kompleks, më i vështirë, më i bukur, projekti i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, ëndrra evropiane është thelbi i idealit të tyre.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian përbën të ardhmen më të shkëlqyer për Shqipërinë dhe shqiptarët. Bashkimi Evropian e ka transformuar Evropën, kontinentin e luftërave, të konflikteve të egra dhe padrejtësive më të mëdha, në një mrekulli të vërtetë të të gjitha kohërave, në një mrekulli në të cilën është përpjekja më e madhe në historinë e këtij kontinenti që fakultetet e mira mendore të individit dhe të shoqërive, vlerat më të arrira, të konsolidohen dhe të udhëheqin. Në këtë kontekst, kombi shqiptar e ka jetike procesin e integrimin në Bashkimin Evropian. Ne e marrim atë si një proces të bazuar mbi meritën. Në këtë drejtim duhet të bëjmë përpjekjet më të mëdha, më serioze dhe reformat më të thella, në mënyrë që t’u ofrojmë qytetarëve shqiptarë ato standarde, ato norma dhe ato praktika që gëzojnë qytetarët e vendeve të zhvilluara të Bashkimit Evropian”, u shpreh kryeministri Berisha, duke i cilësuar 4 vitet në vijim, si vitet e shanseve dhe kërkesave më të mëdha.
Kryeministri foli dhe për qeverinë, përbërjen e së cilës së bashku me programin, do të duhet ta paraqesë brenda 10 ditësh nga mbledhja për herë të parë e Kuvendit.
Fjalimin e tij në grupin kuvendor Berisha e shfrytëzoi për të garantuar dhe të 17 partitë aleate për bashkëqeverisje kjo në proporcion me kontributin e gjithë secilit.