E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e krijuesve të rinj

Filmi dokumentar "Rruga Ime", i punuar nga Prishtina Film, me regji të Adhurim Kidës dhe skenar të Kreshnik Berishës, ditë më parë u dha premierë para një audience të zgjedhur, në Kinemanë ABC

Në vorbullën përmbajtjesore, filmi “Rruga Ime” solli ikjen e shqiptarëve në një kohë lufte nga Kosova, përkatësisht nga qytetet e fshatrat e vendit drejt botës perëndimore.

Autorët e këtij dokumentari, Adhurim Kida dhe Kreshnik Berisha, përkatësisht producenti i filmit, Blerim Gjoci, në mënyrën më origjinale sollën këtë kujtesë dhembshurie të të gjitha mentaliteteve.

Ishte kjo koha kur po iknin edhe intelektualët edhe punëtorët. Pra, në qendër të këtij monumenti dokumentar, janë disa personazhe jetike që mbi supet e tyre bartin një element historik, siç është koncepti ikja për një ditë më të mirë se ajo e sotmja. Edhe pse, aty janë edhe itinerari, nisja, rruga me pengesa dhe pështjellimet nga një mentalitet në një botë tjetër.

Ideja se do të bëhen të pasur përtej kufijve vendor doli të ishte aksenti logjik i këtij dokumentari. Pra migrimi, si koncept, mbase është ëndërr e mirë - si ëndërr, megjithëse brenda azileve evropiane kjo ëndërr për ta doli të ishte veç një mashtrim.

Së këndejmi, ideja e këtij projekti filmik del të jetë se, të shkuarit ilegal jashtë vendit nuk është zgjedhja më e mirë, edhe pse, shikuar nga këndi tjetër, as ikja nga vetvetja nuk është krim, edhe pse vendlindja mbase ngelet zgjedhja më e mirë. Në fakt, në kohët kur njerëzit po e braktisnin Kosovën, ata kishin një arsye më tepër për të gjetur një fije shprese, kudo qoftë.

Sot, ky rrugëtim nuk ka ndonjë kuptim. Ndoshta pikërisht ky edhe ishte mesazhi i filmit, sepse sa më shumë që të ketë tendenca për të migruar ilegalisht, aq më shumë do të dëmtohet koncepti dhe mundësia e të qenit liberal karshi botës dhe popujve të rajonit.

Gjithsesi, filmi është një realizim i kulluar, me regjisorë e skenar të thjeshtuar, dhe pa narracion. Vetë personazhet janë narratorë të gjallë. Nga ana tjetër, është për t’u admiruar elita rinore, për faktin se është duke kultivuar këtë mendësi arti, në njërën nga fushat më prekëse dhe më të ndjeshme karshi filmit artistik, dhe formave tjera artistike të të shprehurit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›