E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ëndrrat e Nollywood’it

“Fabrika” nigeriane e filmave, Nollywood, prodhon më shumë filma në vit sesa Hollywoodi apo Bollywoodi. Kryesisht filma të lirë dhe jokualitativë, edhe pse njohësit e filmit parashohin një ardhmëri të mirë për filmin nigerian.

Për nga numri i filmave të prodhuar industria filmike e Nigerisë ka tejkaluar Hollywoodin dhe Bollywoodin. Filmat e shtetit më të populluar afrikan shfaqen edhe në shumë qytete evropiane e amerikane ku jeton emigracioni afrikan.

“Sektori jonë filmik ka ardhmëri të ndritur”, thotë Emeka Mba, drejtor i Këshillit Kombëtar të Censorëve të Filmit dhe Videos. Madje, gazeta ditore nigeriane ‘National Mirror’ pohon se Nollywood po shkon “drejt pushtimit të botës”.

Shumë produksione me buxhet të ulët janë melodrama, që për temë kanë dashurinë, fuqinë dhe tradhtinë. Programet televizive, si “Africa Magic” pandërprerë emitojnë filma nigerianë, njësoj siç është rasti i telenovelave në Brazil.

Mirëpo, për ecje përpara nevojitet suksesi ndërkombëtar, për të cilin filmave të lirë nigerianë u duhen mjete të mëdha financiare dhe përmirësimi i kushteve të produksionit. Kryetari, Goodluck Jonathan, premtoi në vitin 2010 se qeveria do t’i sigurojë programit zbavitës 200 milionë dollarë. Kjo shumë mund t’i jap Nollywwod’it shtytjen e nevojshme, ndonëse filmbërësit ankohen se premtimet e tij të fryra ende s’janë përmbushur. Industrinë e tyre filmike nigerianët mund ta krahasojnë me atë në Hollywood dhe në Bollywood, por realiteti tregon se bëhet fjalë për liga të ndryshme. Për shembull, ndoshta Nollywood përnjëmend prodhon disa mijëra filma në vit, por qarkullimi vjetor i gjithë industrisë filmike, sipas Mba, është afro 250 milionë dollarë. Pra, një buxhet i përafërt m e atë të filmave për Harry Potter ose Spiderman.

Filmat nigerian, që bazohen në rrëfimet për konfliktin e traditës me modernen post-koloniale, rregullisht shpërblehen në festivalet afrikane. Por, Nollywood shënoi sukses modest në ngjarjet ndërkombëtare, kryesisht për shkak të kualitetit të filmave që shpesh shiten rrugëve dhe distribuohen nëpërmjet video-klubeve dhe shikon nëpër shtëpi ose kafeteri. Në Nigeri ekzistojnë vetëm rreth 20 kinema, ndërkohë që në shtetet tjera afrikane ky numër është edhe më i vogël. Filmat, kryesisht, xhirohen me kamerë të zakonshme digjitale dhe brenda disa javëve – ose disa ditëve. Në vend nuk ekziston asnjë studio filmike, ndërsa buxheti i shumicës së filmave është diku mes 10,000 dhe 30,000 dollarë – të cilat duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet e ekipeve filmike, aktorëve, kostumeve, transportit dhe teknikës.

Prandaj, nuk habit fakti që shikuesit perëndimorë filmat nigerianë i përjetojnë si “të hollë”, dhe “pa dashje” qesharakë.

Përkundër gjithë kësaj, filmat e Nollywood tërheqin shikuesit afrikanë, të cilët në ta gjejnë realitetin e tyre. Pronari i një bordeli që mundohet të të fus në prostituon një vajzë fshatare, duke i ofruar punë si kameriere; shtriga që prish raportet në familjen e një çifti të sapomartuar; mashtruesi që fshehurazi shkatërron nj tregtar, përderisa nëpërmjet një pije magjike josh gruan e tij; janë vetëm disa nga temat e këtyre filmave. Pra, magjia, komplotet, korrupsioni, skandalet, etj, janë dukuritë që shpesh trajtohen në ngjarjet që zakonisht xhirohen në skenat e thjeshta dhe statike. Nevoja e uljes së shpenzimeve nënkupton që, kur bohet fjalë për skena aksioni, të mos ketë hapësirë sa duhet, edhe pse dhuna – veçanërisht ajo familjare – është shpesh e pranishme.

Edhe aktorët kryesorë, të cilët mund të fitojnë deri në 10,000 euro për film, për shikuesin perëndimor janë vetëm amatorë. Lumenjtë me gjak artificial dhe animacionet kompjuterike të punuara nuk ndikojnë fare në ngritjen e kualitetit që kërkon publiku ndërkombëtar. “Fatkeqësisht, filmat shpesh pasqyrojnë realitetin e hidhur. Përveç me kufizime financiare, Nollywood përballet edhe me piraterinë. Pak javë pas lancimit të ndonjë filmi, shfaqen edhe kopjet e tij”, pohon Mba, derisa arsyeton “skenat naive” që vijnë si pasojë e mungesës së mjeteve.

Megjithatë,drejtori i manifestimit të rëndësishëm filmik afrikan - Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durban (Afrika Jugore), Peter Rorvik, thotë se në Nigeria po prodhohen filma që premtojnë.

“Kuaniteti do t’ia lëshojë vendin kualitetit. Industria filmike e Nigerisë është një shembull fantastik për pjesën tjetër të Afrikës,dhe mendoj se, me kohë, ajo do të arrijë të depërtojë edhe ndërkombëtarisht”, mendon Rorvik.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›