Rruga e re Kont Leopold Bertold Berisha Vendosim ne piedestal nje copez te ndaluar te historise sone
Një rrugë e re i është shtuar kryeqytetit shqiptar. Rruga e ndërtuar nga Bashkia e Tiranës që lidh Unazën, Bulevardin “Bajram Curri” me rrugën “Ali Demi”, që sot do të mbaje emrin e Ministrit të Jashtëm të Perandorisë Austro- Hungareze, mbështetës i fortë i pavarësisë së Shqipërisë, Kontit Leopold Bertold. Në ceremoninë e inaugurimit të rrugës dhe emërtimit të saj, ishin të pranishëm, kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, Kryeministri i vendit Sali Berisha, Presidenti i Parlamentit Austriak, Fritz Neugebauer, ambasadori i Austrisë në vendin tonë etj.
Rruga tërësisht e re, ka një gjatësi prej 312 metrash dhe një gjerësi prej 15 metrash. Në të dyja anët e rrugës janë parashikuar xhepa parkimi me gjerësi 2 m dhe trotuare në të dy anët e rrugës me gjerësi 2,5 m. Përgjatë rrugës ka ndriçim, si dhe hapësira të gjelbra. Gjithashtu, është ndërtuar i gjithë rrjeti i nevojshëm i ujësjellës – kanalizimeve. Nisja e punimeve është paraprirë nga shpronësimet. Me një fond prej 122.7 milionë lekësh janë shpronësuar të gjitha familjet, shtëpitë e të cilëve u prishën për ndërtimin e kësaj rruge.
“Pas afro 11 viteve, ne arritëm të hapim një arterie të re dhe të rëndësishme për qytetin tonë, e cila do t’i kursejë mundim, stres dhe para, qytetarëve të Tiranës dhe do të zbukurojë dhe përmirësojë cilësinë e jetës mbi 3 mijë banorëve të rrugës së re, rrugës “Konti Leoplod Bertold”. Ndërtimi i kësaj rruge u bë me parametra evropiane dhe ky është standardi, nga e cila bashkia e Tiranës nuk do të tërhiqet. Ndaj nuk është e rastësishme që për datën dhe ditët historike që po kalojmë, vendosëm që kësaj rruge të standardit evropian, t’i vëmë një emër të nderuar të një personaliteti historik, të cilin ndonëse errësira ideologjike e fshiu për 50 vjet nga librat e historisë, këtu në Shqipëri, ne sot e ri-zbulojmë dhe e nderojmë, emrin e Ministrit të Jashtëm të një perandorie, e përbërë nga dy vende miq, Austria dhe Hungaria, i cili qëndroi vendosmërisht për Pavarësinë e Shqipërisë”, vlerësoi Basha.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte dhe zv/ Presidenti i i Parlamentit të Austrisë, z. Fritz Neugebauer. Zoti Neugebauer garantoi, se ashtu si 100 vjet më parë Konti Bertold mbështeti Shqipërinë të mos zhdukej nga harta e Evropës, po kështu edhe sot Austria do ta mbështesë Shqipërinë të bëhet pjesë e Evropës.
Kjo arritje e ish - Ministrit të Jashtëm të Austro - Hungarisë është një tregues i mirë dhe një frymëzim për ne që edhe ne ta mbështesim Shqipërinë në procesin e saj të integrimit evropian. Natyrisht që kjo rrugë është e vështirë, e anëtarësimit, por të jeni të sigurt që Shqipëria do të ketë gjithmonë në këtë rrugë mbështetjen e fuqishme të Austrisë. Kjo rrugë është mjaft e vështirë, por unë dua t’ju siguroj që Shqipëria do të ketë gjithmonë mbështetjen e Austrisë, sepse Evropa do të ishte e paplotë pa Shqipërinë në familjen e saj” , tha zv/ Presidenti i Parlamentit të Austrisë.
Kryeministri Sali Berisha, duke shprehur vlerësimin e tij për vendosmërinë e Bashkisë për ta bërë kryeqytetin, sa më mirë të jetueshëm nga qytetarët e saj. Por ne te njëjtën kohe zoti Berisha e ka konsideruar emërtimin e kësaj rruge me emrin e “Kontit Leopold Bertold”, si vendosjen në piedestal të një copëze të ndaluar të historisë sonë.
“Konti Bertold, qeveria dhe vendi i tij, Perandoria Austro-Hungareze prej vitesh ishin të përcaktuar për Shqipërinë etnike, Shqipërinë e trojeve shqiptare, ku banonin shqiptarët, Shqipërinë e 67 mijë kilometrave katrorë, vend kryesor në gadishullin e Ballkanit, në pjesën jug-perëndimore të tij. Por momenti, aleanca ballkanike dhe faktorë të tjerë bën të pamundur asokohe realizimin e këtij shteti të pavarur. Ndaj dhe ai mbështeti fuqishëm Ismail Qemalin për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë, për të themeluar shtetin shqiptar si një domosdoshmëri jetike për të shpëtuar shqiptarët, kombin që ai e donte dhe respektonte, nga shuarja e tyre nga harta politike e Evropës”, deklaroi Kryeministri Berisha.
Mbështetja e Austrisë ka qene e jashtëzakonshëm edhe pas përmbysjes e regjimit komunist. Kryeministri Berisha ka kujtuar mbështetjen qe qeveria i dha forcave demokratike ne vitet 90, zhvillimit ekonomik te Shqipërisë, si dhe proceseve të anëtarësimit në NATO, në BE dhe liberalizimit të vizave.