E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptaret u bashkuan ne festimet per 100 vjetorin e Pavaresise

Kryeministri Sali Berisha ka shprehur falënderimet për pjesëmarrësit që iu bashkuan festimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Kreu i qeverisë shqiptare vuri në dukje faktin se ky 100 vjetor u festua në mënyrë madhështore, ku u bashkuan shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës, shqiptarët e të gjitha trevave, duke përçuar fort zërin e bashkimit. Kësaj feste, sipas tij, iu dhanë ngjyra dhe më të forta, pikërisht dhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët iu bashkuan kësaj feste kaq të rëndësishme për historinë e kombit. 

Kështu, një ditë pas festës së madhe të shqiptarëve, kreu i ekzekutivit gjatë një konference për shtyp, zgjodhi që të bëjë një përmbledhje me vlerësimet maksimale të të gjitha aktiviteteve që u zhvilluan në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë. 
“Falenderime për miqtë dhe të ftuarit që na nderuan në 100 vjetorin e Pavarësisë. 57 vende mike u përfaqësuan në rang të deleguarish direkt nga kryeqytetet e tyre. Po kështu 12 organizata ndër më të fuqishmet ndërkombëtare patën të deleguarit e tyre për të festuar 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë rast më lejoni të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ato vende që dërguan përfaqësuesit e tyre për të festuar këtë festë”, vlerësoi Berisha. 
Njëkohësisht, në gjykimin e Kryeministrit, të gjitha aktivitetet e organizuara në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë patën shkëlqimin e merituar.  

"Shpreh falenderimin tim më të thellë për shqiptarët, që me kontributin e tyre bënë që 28 Nëntori, festa e shekullit të qëndronte lart dhe të merrte përmasa të paimagjinueshme, jo vetëm nga prania e tyre. Dashuria e tyre për flamurin për vendin, ishte besim tek e ardhmja. Kurrë nuk kanë festuar më bukur dhe më masivisht se sa 28 nëntorin 100 vjetorit të Pavarësisë. Qytetarët shqiptarë e nxorën jashtë çdo imagjinate, për përmasat, entuziazmin, në të gjitha aspektet. Mirënjohje meritojnë këtu të rinjtë, që s'e lëshuan flamurin nga dora,", deklaroi Berisha.
Rishikimi i historisë Për kreun e ekzekutivit rishikimi i historisë është mjaft i rëndësishëm për kombin. 
“Kemi deklaruar si objektiv që në fillim të këtij viti rishqyrtimin e historisë sonë kombëtare, pasi ajo ishte falsifikuar në mënyrën më barbareske. Kam qenë dhe jam i mendimit se numri i të vërtetave historike është i rëndësishëm, me qëllim që të nxjerrim mësimet e duhura që mos të përsëriten në të ardhmen. Ky ishte qëndrimi ynë, por ky ishte dhe qëndrimi i studiuesve, historianëve. Kurrë ndonjëherë shqiptarët nuk patën mundësinë të njohin historinë e tyre, por tani falë botimeve sot ato e kanë mundësinë. Ndaj shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë ato që pasuruan arkivat me botimet e tyre mbi etapat të caktuara të 100 vjetorit të Shqipërisë”. 
Në vlerësimin e tij në këtë 100 vjetor të Pavarësisë u nderuan figurat historike. 

“Në konceptin tim të shquarit shkëlqejnë shumë më tepër kur rrethohen nga të shquar dhe jo të vetmuar. Nuk mund të pranonim që historia të mbetej e falsifikuar. Erdhën eshtrat e Mbretit Zog, ndërtuesit të shtetit shqiptar. Historia është e tillë, kushdo që e lexon historinë e kombit. Pasi luftoi e u kurorëzua mbret, Zogu u bë viktimë e një sulmi dhe pushtimi, qëndroi në mërgim si antifashist i vendosur”, u shpreh Kryeministri. 

Por ndërkohë, kreu i qeverisë u ndal dhe në një moment të kësaj historie, e konkretisht në atë rolin e diktatorit, Enver Hoxha. Ndalur në këtë çështje, Berisha rikujtoi faktin se asnjëherë prej tij nuk është mohuar Lufta Nacional Çlirimtare, por ajo duhet parë me të vërteta e saj. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë veçoi faktin se pavarësisht mënyrës se si Enver Hoxha erdhi ai në krye të Partisë Komuniste, ajo çfarë i bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve ishte e paimagjinueshme.  

“100 mijë shqiptarë të burgosur të internuar me apo pa gjyq. Kjo është dokumentuar. Por qindra mijëra të tjerë, kanë qenë më të cënuar në të gjitha drejtimet. Skllevërit ishin në kushtet më të mira se fshatari shqiptar, të cilët ushqeheshin shumë më keq se të burgosurit nëpër burgje, apo se ato që jetonin nëpër kampet e përqendrimit”, u shpreh Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›