Dredhitë, lazaratasit dalin pa u lagur nga trafiku i drogës
Lazarati është më i lakuari sa herë që flitet për kultivimin dhe trafikun e kanabis sativa. Emri i këtij fshati ka shkuar deri në zyrat e zyrtarëve europianë, por përsëri ata kanë vazhduar jetën e tyre si zakonisht. Qeveritarët, për vitet të tëra, sa herë vjen sezoni i mbjelljes së bimës narkotike, shkojnë të sensibilizojnë banorët e fshatit, por deri tani ka rezultuar kohë e humbur dhe fjalë të rëna në vesh të shurdhër. Sasi të tëra të lëndës narkotike kapen në akset rrugore dhe nga hetimet rezulton se burimi është ky fshat, por autorët e ndaluar nuk janë vendas. Nuk ka, deri tani, ndonjë banor të fshatit të ndaluar, as gjatë fushatave të eliminimit të bimëve të kanabisit, apo dhe trafikimit të saj. Ajo që dihet është se në Lazarat janë kultivuar lëndë narkotike, provat janë të pakontestueshme, por në asnjë rast nuk kemi të arrestuar lazaratas. Risku që lazaratasit kanë marrë përsipër lidhet me kultivimin e kanabisit, ata e ruajnë atë me fanatizëm, deri në krijimin e situatave krejt të pakëndshme, siç ishte rasti kur hapën zjarr mbi helikopterin e Interforcës, apo kontrollin e lëvizjeve të ardhësve, duke ndjekur me kujdes edhe lëvizjet e policisë. Në asnjë rast policia nuk ka qenë ndëshkuese për ta, kur duket të ketë një pakt në shkëmbim të tolerancës.
Transportiështë shumë e vështirë të kapësh “gafil” lazaratasit. Ata e dinë rrezikun e trafikut të lëndëve narkotike dhe kjo i bën më vigjilentë në sipërmarrjen e tyre. Edhe pse janë një ndër burimet e prodhimit të saj në Qarkun e Gjirokastrës, ata vetëm për këtë mund t’i fajësosh. Prodhimin e tyre ata e trafikojnë me metoda të sofistikuara duke përdorur korrierë jo vendas, të cilët lëvizin më këmbë me çanta shpine drejt Greqisë. Jo në pak raste policia ka vënë në pranga persona të cilët posedonin sasi të mëdha të lëndës narkotike në përpjekje për ta braktisur atë. Edhe kafshët e barrës kanë qenë rezultateve në trafikimin e drogës nga Lazarati. Kalimi i tyre në terrene të vështira u ka sjellë jo pak fitime familjeve të këtij fshati, që kanë gjetur mënyrën antiligj për t’i shërbyer mirëqenies. Ka pasur raste kur kafshët e ngarkuara kanë mbërritur në destinacion pa pasur nevojë që dikush t’i shoqërojë, pra ato kanë qenë njohëse të mira të rrugëkalimit të tyre. Mjetet e transportit rrugor kanë shkuar ta marrin në fshat ngarkesën dhe kanë mundur ta sigurojnë mirë atë në pjesët më të fshehura të mjetit. Ka pasur raste kur policia e ka gjetur, por herë-herë ka kaluar për në vendmbërritje pa probleme.
DredhitëLazaratasit nuk rriskojnë të jenë protagonistë të trafikut. Ata janë fanatikë të parimit të tyre, për të mos rënë në prangat policore. Edhe në rastet kur trafiku është bërë nga vendas, ata kanë mundur t’u shpëtojnë prangave policore. Qëllimi i vendasve është fitimi pa rrezik dhe pa bujë. Nuk kemi ndeshur ende një rast kur trafikantët e prangosur të jenë nga ky fshat. Vendasit, duke mos dashur të dalin jashtë territorit të tyre, të merren me shpërndarjen e lëndës narkotike, u lënë tolerancë fitimi të ardhurve që dëshirojnë ta trafikojnë prodhimin që mban vulën e tyre. Ky është shpërblimi për trafikantët jo nga fshati, të cilët duket se joshen nga fitimi. është për t’u çuditur që në të gjitha rastet në prangat policore kanë rënë vetëm të ardhurit për të marrë kanabisin e Lazaratit. Puna e prodhuesve ka mbaruar me marrjen e lekëve, fitim jo i pakët, që nuk e kanë as bizneset me bilanc pozitiv. Ekspertët mendojnë se metodat e vendasve janë tejet të rafinuara. Në ndonjë rast, ata, pasi janë shpërblyer nga blerësi, nuk e kanë problem të informojnë për trafikun, duke lënë në prangat e policisë “fakirët” që guxuan të merren me tregti “të fortësh”. Në njoftimet policore thuhet se nga hetimet rezulton se droga ishte me origjinë nga Lazarati. Nuk mungojnë rastet kur informacionet e sakta jepen për trafik në një drejtim për të përqendruar vëmendjen e uniformave blu atje, por nga ana tjetër sasi më të mëdha kalojnë për në destinacionin e përcaktuar. Kjo të bën të besosh se organizatorët e trafikut japin një rast, për të mbuluar dhjetëra të tjera, që kalojnë nën hundën e policisë. Nuk përjashtohen rastet kur trafikantët njoftohen dhe përkrahen nga njerëz me uniformë, të cilët shpërblehen për shërbimin e kryer.
#