Turqia në gjykim
Në një seri të persekutimeve bizare, gjykatat turke kanë burgosur me qindra persona – zyrtarë ushtrie, gazetarë, akademikë dhe avokatë – për komplot të pretenduar për rrëzimin e qeverisë demokratikisht të zgjedhur të vendit. Por dëmi i bërë do të shtrihet përtej vuajtjeve të qindra individëve të pafajshëm, të cilët janë mbyllur nën dëshmi të rrejshme
Në dramat hollywoodiane të gjykimit, ju e dini se heroi, të cilit i kanë ngritur kurth djemtë e këqij, në fund do të shfajësohet – por jo para se t’i shtrëngohet mirë laku përreth qafës. Vetëm atëherë kur duhet se të gjitha dëshmitë çojnë drejt dënimit të tij, një kthesë e papritur e ngjarjeve do të dëshmojë pafajësinë e tij dhe do t’i nxjerrë në shesh ata që ia punuan.
Në rast se gjykimet e vazhdueshme politike-ushtarake të Turqisë ndonjëherë gjejnë rrugën e tyre drejt ekraneve, nuk do të mungojnë përfundime të tilla. Në një seri të persekutimeve bizare, gjykatat turke kanë burgosur me qindra persona – zyrtarë ushtrie, gazetarë, akademikë dhe avokatë – për komplot të pretenduar për rrëzimin e qeverisë demokratikisht të zgjedhur të vendit.
Kryeministri, Recep Tayyip Erdoğan, i promovon gjykimet si një dëshmi për kthesën e re të Turqisë drejt demokracisë dhe sundimit të ligjit. Ato po ashtu mbështeten aktivisht nga mediet që i përkasin të ashtuquajturit Grupi Gülen – një aleat i fuqishëm i qeverisë së Erdoğanit i përbërë nga ithtarë të klerikut mysliman, Fethullah Gülen. Në të vërtetë, gjykimet paraqesin një shkelje të madhe të sundimit të ligjit, me drejtësinë e transformuar në një armë politike e drejtuar ndaj kundërshtarëve të qeverisë dhe lëvizjes Gülen.
Rastet janë komike – apo do të jenë sikur të mos ndodhnin vërtet në një shtet prej 74 milionë banorësh, rëndësia strategjike e së cilës vështirë se mund të mos llogaritet. Në të vërtetë, persekutimet po bëhen me pretendime aq fanatike, konspiracione imagjinare, fabrikime të çuditshme dhe kurthe të dukshme saqë edhe një skenarist i Hollywoodit, i cili i ka përfshirë ato në skenarin e tij, mund të tallej për gjithë këtë punë.
Le ta marrim në konsideratë rastin “Çekani”. Më tepër se 20 zyrtarë ushtrie u paditën për komplot më 2003 për rrëzimin e qeverisë atëbotë sapo të zgjedhur. Prokuroria ka, siç duket, dëshmi solide: plane të hollësishme, gjoja të përpiluara nga të pandehurit, në të cilat përshkruhen një seri e operacioneve të kobshme për ta destabilizuar vendin. Zyrtarët janë deklaruar të pafajshëm dhe pohojnë se dokumentet e puçit janë të fabrikuara, por kush u beson atyre, duke e ditur se çfarë prokurorët, qeveria dhe mediet më të mëdha thonë?
Gjykimi tashmë me shumëçka u ka ngjarë momenteve nga filmat. Disa të pandehur kanë treguar se ishin jashtë shtetit dhe se nuk kanë pasur qasje në kompjuterët në të cilët ata supozohet të kenë përpiluar plane. Të tjerët duket të kenë shkruar gabimisht vetë emrat e tyre apo titujt e tyre ushtarakë. Dy ekspertiza kanë konstatuar se dorëshkrimi mbi CD-në e planit ishte falsifikuar.
Mbase më dramatikja nga të gjitha, dokumentet e puçit përmbajnë shumë informata, të cilat nuk mund të jenë ditur assesi në atë kohë, përfshirë referencat për kompanitë, organizatat joqeveritare, spitalet dhe shumë entitete të tjera që janë themeluar vite më vonë, pas datës së pretenduar të përpilimit të planit.
Paramendojeni skenën në gjykatë. Avokati mbrojtës, duke aluduar në dëshminë kyç, i thotë prokurorit: “Ju, zotëri, pretendoni se kjo CD që përmban të gjitha dokumentet inkriminuese është përgatitur nga klienti im më 2003. A mund të më shpjegoni se si është e mundur që klienti im të ketë ditur emrat e zyrtarëve në një fregatë që iu bashkua ushtrisë vetëm më 2005? Apo licencën e veturës që është lëshuar më 2006?” Gjyqtari kthehet nga prokurori. Me të djersirë pa kontroll, prokurori nuk ka asgjë për të thënë. Gjykatësi e ul poshtë çekanin e tij me një goditje të fortë. Rasti hidhet poshtë.
Apo merreni me mend rastin e një grupi zyrtarësh të rinj të akuzuar për organizimin e një rrjeti prostitucioni dhe të vjedhjes së sekreteve shtetërore. Akuzat përsëri bazohen në dosje elektronike që supozohet të jenë gjetur nëpër shtëpitë e të pandehurve. Por policia bëri në gabim elementar që e zbuloi kurthin: pasi gjoja se pranoi një informatë anonime për Ahmet A. (pseudonim), ata gabimisht kërkuan shtëpinë e Ahmet B. – dhe megjithëkëtë disi gjetën dosjet inkriminuese tek shtëpia e B-së. Ahmet B. padyshim se nuk është Ahmet A., dhe shpjegimi i vetëm është se dëshmia është vendosur – në shtëpinë e gabuar. Ahmet B. eventualisht u lirua (pas nëntë muajsh) dhe rasti vazhdon akoma.
Shembuj të ngjashëm ka shumë në rastet e tjera. Një prokuror e merr në pyetje një të dyshuar për një plan frikësimi të të krishterëve, para se policia në fakt “ta zbulonte atë”. Një gazetar arrestohet për një artikull të papërfunduar për lëvizjen Gülen që interpretohen si instruksione nga një organizatë terroriste. Një zyrtar i lartë policie, i cili ka shkruar një ese që demaskon keqbërjet e gulenistëve arrestohet, pasi policia gjen xhirime ilegale të thirrjeve të përgjuara në zyrën e tij – në kohën kur ai ishte në pushime.
Shfajësimet vijnë shpejt në filmat e Hollywoodit, por jo edhe në Turqi, ku gjykatat deri më tash duket t’i kenë shkëlqyer problemet me dëshmitë e prezantuara nga policia dhe prokurorët. Rastet qesharake vazhdojnë, dhe gjithnjë e më shumë njerëz po tërhiqen në to. Mediet kryesore të pavarura as që raportojnë për mospërputhjet, nga frika e provokimit të qeverisë apo lëvizjes Gülen.
Këto raste në fund do të rrënohen nën peshën e absurditetit kolektiv të tyre. Por dëmi i bërë do të shtrihet bukur përtej vuajtjeve të qindra individëve të pafajshëm, të cilët janë mbyllur nën dëshmi të rrejshme. Shpresa se Turqia më në fund do t’i zhveshë gjurmët e saj autoritare dhe do bëhet një demokraci stabile do të jetë gjysmake.
Shkrimi është botuar së pari në rrjetin e gazetarisë “Project Syndicate”