Rruga për drejtësi ende vazhdon
Galeria ishte ndryshe këtë të enjte. Po bëheshin përgatitjet për ekspozitën “Bogujevci -Histori vizuale”. Me kujdes paraqitej rruga dhe peripecitë e familjes Bogujevci, humbjet dhe vuajtjet nga lufta deri më sot.
Aty nuk ishte e gjithë familja, ngaqë shumica kishin humbur jetën në luftë, mirëpo aty ishin artistët: Saranda, Jehona dhe Fatos Bogujevci, të mbijetuarit e kësaj familjeje nga masakra e bërë nga serbët. Artistët, me shumë kujdes, kishin vendosur fotografitë e familjarëve të humbur nga më i vjetri deri tek fëmija më i vogël. Përveç kësaj, kishte edhe video, përshkrime të atyre momenteve të rënda, e në një hapësirë ishte vendosur dhoma e ditës, e cila ishte e dekoruar në tërësi, sigurisht ashtu siç ka qenë para masakrës.
Për të folur para medieve në konferencën e mbajtur, të enjten, ishin tre artistët si dhe kuratori i ekspozitës James Walmsley.
Saranda Bogujevci tha që kjo ekspozitë tregon ngjarjen e familjes Bogujevci dhe Duriqi më 28 mars 1999, pikërisht në masakrën e Podujevës. “Në këtë masakër prej 21 personave vetëm 5 kanë shpëtuar, ne të tre dhe dy tjerë. Ne kemi humbur tetë anëtarë të familjes, ndërsa një mik i joni Enver Duriqi, ka humbur shtatë anëtarë”, theksoi Bogujevci.
Ajo shtoi që kjo ekspozitë tregon atë pjesë të luftës. Mirëpo, edhe pas luftës kanë ndodhur ngjarje tjera, këtu përfshihen dy gjykime në Beograd, ku të dënuar mbetën pesë persona, për këtë ngjarje, mirëpo ajo beson që ka ende të tjerë që duhet të përgjigjen për krimet e tyre dhe shtoi se lufta e familjes për drejtësi ende vazhdon.
Ekspozita nuk flet vetëm për këtë familje, ndonëse në qendër ka vuajtjet e saj, por edhe për shumë familje në Kosovë dhe ky është qëllimi edhe sipas Bogujevcit.
Më e mira është që këta artistë, këta të mbijetuar, ballafaqohen me të kaluarën. Ata historinë e tyre, do ta dërgojnë edhe në Beograd. Pas Prishtinës, vitin e ardhshëm, ekspozita do të shkojë edhe në Beograd dhe në Sarajevë, pastaj edhe në vende tjera.
Saranda Bogujevci nuk mundi të komentojë gjatë, se si mund të pritet kjo ekspozitë dhe gjithë këto pamje nga audienca në Serbi, mirëpo, ajo mendon që do të ketë komente të përziera. “Ka shumë njerëz që ende nuk e pranojnë që ka ndodhur lufta në Kosovë, do të jetë interesant përballja e tyre me tregimin tonë, por të shohim pas hapjes së ekspozitës atje se si do të pritet”, tha ajo.
Kuratori i ekspozitës James Walmsley tha se këtë familje e ka takuar që gjashtë vite. Ai po ashtu theksoi faktin që ka qenë kurator edhe i një ekspozite tjetër, ku pjesëmarrës ishin artistët kosovarë. “Ndërkohë për këtë ekspozitë, pas takimit tonë, kemi biseduar për idenë që të krijojmë një ekspozitë në lidhje me tregimin e familjes Bogujevci dhe e bëmë”, tha Walmsley.
Ekspozita do të hapet sot (e premte) në orën 19:00, në Galerinë e Arteve të Kosovës, ndërsa do të qëndrojë e hapur deri më 14 nëntor.
Mirëpo, aktivitetet të cilat janë vazhdimësi e ekspozitës nuk do të ndalen. Më 17 tetor, në orën 20:00, në teatrin Dodona do të jepet shfaqja, “Lugina e vuajtjeve të saj” në regji të Zana Hoxha-Krasniqit.
Aktivitetet vazhdojnë me programin edukativ, ku dy ditë në javë fëmijët do të mund të bëhen pjesë e punëtorisë, e cila do t’i njoftojë më shumë mbi këtë ngjarje si dhe shumë tjera gjatë luftës.
Me 2 nëntor vazhdon forumi me temën “Rëndësia e gjykimeve dhe dokumentimi i ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë”. Pjesa tjetër e ekspozitës është dhoma interaktive, ku njerëzit që vijnë ta vizitojnë ekspozitën mund t’i lënë komentet e tyre, ndërsa ata të cilët kanë humbur anëtarët e tyre gjatë luftës, mund t’i sjellin fotografitë dhe t’i bashkohen kësaj ekspozite.