Tadiq, optimist për vazhdimin e dialogut

Ai këto komente i bëri të premten pas takimit me komisionarin evropian për Zgjerim, Stefan Fyle, në Beograd, dy ditë pasi që Komisioni Evropian propozoi dhënien e statusit të kandidatit Serbisë për aderim në BE, pro me kusht që bisedimet të nisin pas përmirësimit të marrëdhënieve me Kosovën.
“Do të vazhdojmë reformat, do të vazhdojmë dialogun me Prishtinën dhe jam optimist racional se është e mundshme. Shoh vështirësi në realizimin e këtyre reformave, shoh vështirësi në procesin e dialogut me Prishtinën, shoh domosdoshmëri të caktuara që të qartësohen çështjet edhe me fqinjët tanë, por është plotësisht e qartë se Serbia nuk do të heqë dorë nga parimet e vendosura”, ka thënë Tadiq.
Dialogu me Kosovën është ndërprerë muajin e kaluar, pasi që pala serbe ka insistuar hapjen e bisedave politike për pikat kufitare 1 dhe 31 në veri.
Prishtina zyrtare ka hedhur poshtë mundësinë e hapjes së bisedave politike, duke thënë se ky është një kapitull i mbyllur.
Një gjë e tillë i është bërë me dije edhe ndërmjetësit evropian në dialogun teknik, Robert Kuper, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë.