Rrugaçëria e kryetarëve të PS, Roshi-Bici, fragment i qeverisjes “Rama”
Elvis (Ervin) Rroshi, kryebashkiak i Kavajës dhe Dritan Bici, kryebashkiak i Gramshit, kanë konfirmuar dy ditë radhazi se njerëzit e Edi Ramës s’e kuptojnë ligjin dhe s’e zbatojnë atë, pasi janë zgjedhur nga PS jo për vlerat e tyre, por për vendosmërinë për t’iu kundërvënë ligjit. Elvis Rroshi dje mbërriti kulmin, me dhunën e ushtruar publikisht, çka vërteton se qeverisja “Rama” prodhon veç shkatërrimin e legjitimitetit të pushtetit dhe të votës së lirë
Emrat e 5-ish-të dënuarve që u angazhuan mbrëmë nga PS për të prishur rendin publik në Kavajë
Rilindja e Edi Ramës për sportin është dhuna. Dhuna në futboll shqiptar është bërë një monopol rrugaçëve të Partisë Socialiste. Incidenti i radhës është regjistruar në Kavajë, në pushim të ndeshjesh së Superligës Besa-Tirana, ku kryebashkiaku socialist Elvis, (Ervis, Elvin) Roshi në përfundim të pjesës së parë të ndeshjesh ka hyrë në dhomat e zhveshjes së ekipit të Tiranës bashkë me një grup rrugaçësh dhe ju ka bërë presion futbollistëve.
Të sharat dhe fjalët e Roshit drejtuar ekipit bardh e blu kanë qenë tejet kërcënuese për jetën: “Ju nuk do ta fitoni ndeshjen, se nuk dilni të gjallë nga fusha”.
Elvis Roshi ndër të tjera ka qëlluar edhe trajnerin e ekipit të Tiranës, Nevil Deden si dhe e ka kërcënuar atë me jetë.
Nisur nga kjo ngjarje, futbollistët e skuadrës së kryeqytetit nuk kanë pranuar të dalin në fushë pjesën e dytë, por ka qenë një insistim i trajnerit Nevil Dede që ata të luanin. Trajneri Dede më pas ka bërë kallëzim penal për kryebashkiakun e Kavajës.
Në stadium mbërritën edhe forcat “Renea”, por Elvis Roshi në ato momente ishte larguar nga stadiumi. Pak minuta pas ngjarjes kreu i Bashkisë së Kavajës mësohet se është arrestuar nga policia.
Pas ngjarjes së ndodhur në mesditë në stadiumin e Kavajës, kryebashkiaku Elvis Roshi është arrestuar.
Fillimisht Elvis Roshi u shoqërua në ambientet e komisariatit të policisë së Kavajës, ku dha versionin e tij për skandalin e ndodhur me futbollistët e trajnerin e Tiranës, jashtë ambienteve të komisariatit janë mbledhur disa qytetarë që kërkojnë lirimin e tij.
Elvis Roshi u padit para disa orësh nga trajneri i Tiranës Nevil Dede për goditje, kërcënim me jetë dhe fyerje.
Pas pasisë së trajnerit të Tiranës, u bë arrestimi i Elvis Roshit, i cili u dërgua në dhomat e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës. Mbi kryebashkiakun e Kavajës rëndojnë akuzat e kërcënimit dhe të kundërshtimit të forcave të policisë.
Sidoqoftë ajo që ra në sy dje në stadiumin e Kavajës ishte çështje elektorale, pasi një nga lojtarët golashënues të Besës tregoi një bluze me shkrimin “Parid Cara goool”, që sinjalizonte faktin se blerja e re e Edi Ramës në të vërtetë është porosi e Elvis Roshit për kryetarin e PS.
Në mbrojtje të kësaj rrugaçëria stadiumi ka dalë veç Dash Peza, deputeti një përdorimësh i Edi Ramës.
Rilindja e PS për sportin nuk dallon shumë nga rilindja e dhunës pasi Edi Rama ka deklaruar se Partinë do ta mbushë me biznesmenë dhe të fortë sepse këta i garantojnë fitoren.
Dhe këto shfaqje të kryebashkiave socialiste të Kavajës dhe Gramshit janë veçse fragmente të dhunës dhe rrugaçërisë të qeverisjes “Rama”.
Ndërkohë dy ditë më parë në përfundim të takimit midis Gramshit e Mamurrasit, janë shënuar incidente mjaft të rënda dhe protagonist i tyre ka qenë Kryebashkiaku socialist i qytetit të Gramshit, Dritan Bici i cili i zhgënjyer nga rezultati i dobët i arritur nga skuadra e tij ka marrë me makinën e tij tip “Mitsubish” duke u futur në portën kryesore të stadiumit, duke e hedhur atë në tokë. Kryebashkiaku socialist të Gramshit Bici, sipas bashkëpunëtorëve të tij, kishte për qëllim të ndërhynte disi “ëmbël” drejt dhomës në të cilën ndodheshin arbitrat, pasi i kishte “ikur” mendja nga dështimi i skuadrës në objektivin që kishte për këtë ndeshje.
Disa prej policëve të shërbimit që gjendeshin para portë së stadiumit treguan se kryebashkiaku i Gramshit Dritan Bici u shfaq para tyre si në një skenë filmash horror. Ai rreth dhjetë minuta pasi kishte përfunduar ndeshja mes Gramshit dhe Mamurrasit është “sulur” me mjetin e drejtuar prej tij duke e shqyer portën prej hekuri në afërsi të vendit ku ndodheshin arbitrat. Futja e tij dhunshëm së bashku me automjetin ka rrezikuar seriozisht jetën e disa punonjësve të rendit, të cilët gjendeshin përballë portës së “shqyer” prej makinës së drejtuar nga ana e kryebashkiakut.
Ndërhyrja e policisë ka bërë të mundur që “çmenduria” e kryebashkiakut socialist Bici të marrë fund. Atij i është sekuestruar automjeti që po drejtonte dhe më pas është bërë shoqërimi i tij në komisariatin e Gramshit. Ai ndërsa kërcënonte me jetë arbitrat ka bërë rezistencë dhe ka sharë e ofenduar me libër shtëpie punonjësit e policisë që bënë shoqërimin në komisariat.
Nëndrejtori i policisë së Qarkut, Gjelosh Prendi nga ana e tij tha se kryebashkiaku i Gramshit, Dritan Bici akuzohet për shkatërrim me dhunë të pronës dhe sipas ligjit do të procedohet për këtë veprim të jashtëligjshëm të kryer prej tij.
Kryebashkiaku Bici gjatë këtij viti edhe herë të tjera ka qenë protagonist i krijimit të incidenteve të rënda në stadiumet shqiptare. Për këtë shkak atij i ishte ndaluar futja në stadium për disa javë.