“Tre investime madhore do të ndryshojnë jetën e banorëve të Gramshit”
Arben Imami në 22 vjetorin e PD-së së Gramshit
Koordinatori i PD-së për qarkun e Elbasanit gjatë festimit të 22 vjetorit të degës së Gramshit, foli për dy nga projektet madhore që do të realizohen në këtë zonë.
Rruga Gramsh-Banjë Elbasan, fillimi i punimeve në HEC Banjë dhe 2 hidrocentraleve të tjerë në kaskadën e Devollit janë dy nga projektet madhore në proces të qeverisë Berisha për nënprefekturën e Gramshit. “Në fund të prillin do të inaugurojmë punimet. Të gjitha këto do të japin një infrastrukturë moderne, do të japin mundësi për një jetë më të mirë qytetit dhe rrethit të Gramshit. PD është alternativa më e mirë, sepse sjell punësi e mirëqenie”, tha Imami. “Të mendojmë të gjithë si një parti e vetme, si njerëz seriozë, të përgjegjshëm si demokratë të vërtetë, si patriot të vërtetë që t’i japin një mandat të tretë partisë Demokratike, kryeministrit Berisha, që ky projekt, që vizion të një Shqipërie modern dhe europiane të mos bllokohet nga ish-bllokmenët”, deklaroi Imami.
Më pas koordinatori i PD-së për qarkun e Elbasanit, ministri i Mbrojtjes Arben Imami në 22 vjetorin e themelimit të degës së PD-së në Gramsh vuri në dukje se punën e bërë nga qytetarët e Gramshit për të afruar me vlerat demokratike.
“Përgëzoj qytetarët e Gramshit për punën e madhe që është bërë në këto 22 vite, ku ka afruar Gramshin me vlerat e Partisë Demokratike. Ajo ditë e marsit, e vitit 1991 është e pashlyeshme nga kujtimet e mia. Ajo që bënë djemtë, vajzat, burrat e Gramshit ishte tregues i një sensi burrërie, një sensi lirie të pakrahasueshëm. Ajo që ndodhi në Gramsh ishte e paimagjinueshme. Sot, 22 vite të hedhura pas, Gramshi është një tjetër vend. Duhet të mendojmë për politika afatgjata të investimeve, dhe unë jam i sigurt që edhe Gramshi do të jetë fitimtar me PD dhe koalicionin e saj. Ne jemi fitimtar në Peqin, në Belsh, do vijojmë në Cerrik e Sulovë, në Gramsh dhe gjithë Qarkun e Elbasanit”. Ndërkohë ministri Imami i rikthye investimeve strategjike që ka Partia Demokratike për Gramshin. “Janë tre investime madhore që do ndryshojnë jetën e banorëve të Gramshit. Rruga Tiranë - Elbasan Rruga Gramsh - Banjë, që do të afrojë Gramshin me Tiranën dhe Hidrocentrali i Banjes, si pjesë e kaskadës së Devollit, një investim ky, prej 1 miliard euro. Këto investime, do krijojnë vende të reja pune dhe mundësi për një jetë më të mirë për banorët e Gramshit”, theksoi ai.
Në fund Imami ka bërë thirrje për kontribut për një Shqipërie të zhvilluar e demokratike të integruar në Europë. Dhe për këtë ai ka nënvizuar se nevojitet vota për një mandate të tretë në zgjedhjet e 23 majit.