E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi e ka të keqen nën lëkurë

11-03-2013 / Nga Kostaq Xoxa

Ish-presidenti B. Topi e filloi me modesti dhe e mbaroi me tangërllëk. E nisi me respekt ndaj  bashkësisë së tij në P.D -  sidoqë jo i aktivizuar nga të parët,-  dhe e përfundoi  me mllefe dhe me arrogancë. Gjer aty sa të shprehej këto ditë, në “Top Story” se “ai, bashkë me një grup njerëzish të tjerë, e rikthyen Berishën në pushtet, në vitin 2005”! Si shumë e paska ngritur pjacën, njeriu që nuk ishte nga të parët kur zienin sheshet e tribunat, për të hedhur poshtë një sistem që e kishte mbushur kupën dhe po i sosej vaji i kandilit. E nisi me avash, pra, për ta vazhduar me kordhë! Atëherë, në atë kohë në të cilën ai flet me mburrje që i ngjan asaj të E.. Ramës, ishte ai që ia ndjente nevojën Berishës, jo anasjellas. Bash ai, po ta caktonte Berisha për të mbrojtur mandatin e x-it apo të y-it në atë kohë,  (2005-n) do ta ndjente veten të privilegjuar për detyrën, jo më po ta caktonte doktori qw  të propagandonte për veten e tij. Për disa njerëz, shumëkush thotë se e ka të keqen nën lëkurë.  Pastaj i shpifet megalomania dhe bie në kundërthënie të vazhdueshme. Nga njëra anë B. Topi thotë se “ka lënë të hapur opsionin e krijimit të një poli të tretë me LSI-në”, nga ana tjetër tërthorazi e rrëzon mendimin e vet, duke u shprehur se “me Ramën nuk bëj koalicion, sepse është parti e majtë”. Po Meta a nuk është parti e majtë? Është tjetër gjë se LSI është sinqerisht për Integrimin, pavarësisht se e majtë. Por, në një rast tjetër Topi e kishte hapur gojën pa menduar fare, duke e cilësuar Berishën si stalinist! Është bela me trutë e kokës! Atëherë i bie që ai u bashkua me aspiratat e Berishës, pra, me një stalinist! Kush e mori me zor! Kishte vendi ynë edhe majtistë edhe centristë edhe të djathtë. Edhe të majtë ekstreme, - lloj-llojësh. Kishte edhe enveristë. Berisha ishte demokrat qëkur B. Topi thuajse nuk merrej me politikë. E thonë ata që e njohin. Dikush, një mjek me pozitë në atë kohë, i propozoi Berishës që t’i jepte rekomandim për anëtar partie. Duke e vërejtur se nuk ishte entuziast, i kishte thënë: - Më duket se do të mungosh në shumë konferenca mjekësore në të cilat ftohesh vazhdimisht. E kam nga ana profesionale. Ty të ftojnë si kardiologun më të aftë të Shqipërisë. Përse të vejë, në vendin tënd, një tjetër që s’e meriton? Kjo e bindi Berishën që të nesërmen t’i kërkonte rekomandimin. Por ai rekomanduesi kishte vënë ré se disa nga librat që sillte me vete doktori nuk ishin mjekësore, por edhe politike, madje libra të një politike jo shumë ortodokse…Pa lé kur i thonë se ka qenë edhe mjek i Bllokut! Është një taktikë e njerëzve të zvetënuar. Vetë Mexhmije Hoxha ka thënë, me mburrje madjé, se nuk ka qenë mjek i Oborrit. Por ata komunistë që kanë djallin në bark, e kanë bërë si lajtmotiv që të quajnë komunist kundërshtarët e tyre. “Ti komunist, unë komunist, eja e gjeje se kush është i pakomprometuar!”. “Unë komunist” duhet lexuar “unë, mëkatar i regjimit, që ua zë me derë kokën atyre që duan të më inkriminojnë! A bëhet dot katarsisi me këto mënyra diabolike? Bamir Topi është bërë i denjë që të kategorizohet si këta njerëz. S’duhet të jetë aspak e rastit se gjoja votoi gabimisht për Ramën. Kur i është kërkuar shpjegim, për atë që bie ndesh me frazën e tij se “UNË kam përjashtuar koalicionin me dy partitë e vjetra”, ai s’ka ditur asfare sesi të japë një përgjigje kundërshtuese. Ka bërë si Rama që përgjigjet roma për toma, kur nuk di nga t’ia mbajë! Është çështje karakteri. Dhe nuk dukej i tillë. Por ja, që e paska pasur nën lëkurë! Në këtë muhabetin e Top Story-t gjejmë lloj-lloj broçkullash. Ja njëra prej tyre: Berisha është kapitullues më 23 qershor. Por z. Kastriot Islami, që është ekspert i çështjeve zgjedhore, thotë se Berisha do të jetë fitues këtë  23 qershor. Kastrioti flet si ekspert. Topi flet si mllefexhi. A mund t’i besohet këtij të dytit? A s’e di ky, së paku, se shqiptarët përgjithësisht janë skeptikë ndaj partive të reja, politikanët e të cilave merren me fraza të fryra dhe me shprehje të bujshme, që të bëhen të besueshëm? Nëse Bamirin e gënjen mendja që të fitojë besueshmërinë si Bepe Griloja në Itali, e ka gabim. Se komediani italian ka shumë kohë që është koherent me politikën e tij, në një kohë kur  italianët kanë rënë në recesion. Ndërsa kushtet këtu janë të ndryshme. Edhe koha i mungon Topit që të bëjë ato që bien ndesh me njëra-tjetrën. Edhe mllefi i tij është individual, se hëngri bukën e përmbysi kupën. Por edhe se, pavarësisht që i depolitizuar siç ishte për hir të funksionit, nuk iu durua të bënte politikë pa i mbaruar mandati. Topit ia thonë lehtësisht njerëzit: Ulu, se të panë! 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›