E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugët e dëmtuara bllokojnë 3 fshatra në Tepelenë

Banorët e tre fshatrave të Komunës Luftinjë, rreth 16 kilometra larg qytetit të Tepelenës, janë izoluar si pasojë e dëmtimit të rrugës. Shkak janë bërë shirat e rrëmbyeshëm të ditëve të fundit, të cilat kanë dëmtuar plotësisht një pjesë prej 10 metrash në rrugën që të çon nga sektori i tretë në minierë e qymyrgurit në Memaliaj. Rrjedhimisht banorët e fshatrave Danaj,

 Canaj dhe Izvor me popullsi prej 300 familjes, nuk udhëtojnë dot në pjesën e poshtme urbane, në Memaliaj apo në Tepelenë, pasi mjetet e transportit nuk mundin dot të kapërcejnë rrugën e dëmtuar. Aksi rural ka pasur probleme serioze qysh në fund të vitit të kaluar, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, me stuhi e suferinë, por terreni rrugor në një vend me reviel të pjerrët ka bërë të pamundur kalimin normal të automjeteve të ndryshme. Banorët e të tri fshatrave, të privuar për të qarkulluar drejt zona urbane, në mungesë të mjeteve, u janë rikthyer kafshëve të punës, si kompensim për transportin e tyre apo dhe produkteve ushqimore. Për shkak të dëmtimit të rrugës, në shkollat e të tri fshatrave procesin nuk është zhvilluar, pasi nuk është mundësuar transportimi i mësuesve. Ndonëse gjendja është relatuar nga organet e qeverisjes vendore, situata ngelet sërish kritike. Sipas banorëve të zonës, kërkohet një investim serioz në pjesën e rrugës që fundoset nga rrjedhja e shirave me mot të keq, që të mos përsëritet i njëjti fenomen. Shirat e ditëve të fundit në jug të vendit kanë paraqitur probleme në infrastrukturën rrugore, sidomos në zonat rurale, por ndërhyrja në kohë e Drejtorisë Rajonale të Rrugëve ka shmangur bllokimet e mundshme të akseve për një periudhë të gjatë kohore.

T. Hoxha

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›