E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hana: Të dyfishohen pagat e mjekëve për të ulur korrupsionin në shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë kërkon bashkëpunimin e të gjithë aktorëve socialë për reformat në shëndetësi

Të dyfishohen pagat e mjekëve, kjo ka qenë deklarata e drejtoreshës së Inisitutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor Elvana Hana e cila duke pranuar ekzistencën e informalitetit në sistemin e shëndetësisë shqiptare, gjatë një tryeze për mënyrat e reja të financimit në Shqipëri, ka bërë të njohura edhe mënyrat për të ulur informalitetin gjatë muajit 2010.

Sipas saj duhen marrë disa masa ndër të cilat dhe dyfishimi i pagave për mjeket deri në fund të vitit. Gjatë seminatir që u organizua dje mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe ISKSH, si dhe stafit mjekësor me temën Sfidat e ekonomisë sociale të tregut në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri. Drejtuesja e  Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka planifikuar të financojë shërbimet shëndetësore dhe në sektorin privat. Elvana Hana, deklaroi se kjo do të ndodhë në një fazë më të vonshme kur do të mundësohen kontrata me sektorin privat për shërbime të caktuara. Nëse së afërmi, ligji i ri i financimit të skemës së sigurimeve shëndetësore do të konkretizohet, standardet do të bëhen obligative për blerjen e shërbimeve, ndërkohë që për herë të parë, do të mundësohen kontrata me sektorin privat për shërbime të caktuara. Ne jemi të bindur se konkurrenca do të shkojë në të mirë të pacientëve dhe njëherësh, do të forcojë shërbimin shëndetësor publik, u shpreh Hana. Aktualisht 50 % e popullsisë shqiptare marrin shërbim shëndetësor falas në poliklinika, duke përfituar nga skema e sigurimeve. Sfida jonë e madhe është shtrirja e mbulimit shëndetësor për 80 % të popullatës në vitet në vijim. Sikurse ka ndodhur me shërbimin parësor, do të ketë një paketë të veçantë edhe në shërbimin spitalor, por, këto shërbime ISKSH do ti blejë duke kërkuar standarde optimale për pacientët, u shpreh Hana. Sipas drejtoreshës Hana, ulja e pagesave informale do të rrisë cilësinë e shërbimeve për pacientin pasi të ardhurat dytësore do të shërbejnë për investime në sektorin shëndetësor.

Reforma në shëndetësi
I pranishëm në këtë konferencë, ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili theksoi se reforma shëndetësore nuk është vetëm e bluzave të bardha. Por, sipas tij është një përzierje faktorësh që duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që të zbatohet sa më mirë reforma në shëndetësi. Përfshirja e sektorit privat në financimin dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor, u cilësua nga ministri i Shëndetësisë një aspekt i rëndësishëm i reformës që duhet rregulluar nëpërmjet kuadrit ligjor. Asnjë objektiv nuk mund të arrihet e të sigurohet, përfshi dhe ekonominë, pa një shëndet të plotë për popullatën që kërkon jo vetëm përmirësim, por dhe reformimin rrënjësor të sistemit shëndetësor, pohoi Vasili. Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë ka identifikuar si prioritet të sajin aksesin për shërbime shëndetësore të barabartë për të gjithë, të sigurt dhe cilësor. Mbi të gjitha mbetet prioritet krijimi i një strukture efektive të sistemit shëndetësor, duke shkuar kështu drejt një sistemi jo vetëm kosto-efektiv, por në të njëjtën kohë, më të përgjegjshëm ndaj nevojave të popullatës, nënvizoi Vasili. Duke u ndalur në ndryshimet kryesore që kërkohen si pjesë e reformës në sektorin e shëndetësisë, ai përmendi në një shkallë më të gjerë të mjekësisë së familjes kujdesit shëndetësor parësor, shoqëruar me elementë të rëndësishëm strukturorë, si dhe transformimin e ISKSH-së në një burim të vetëm financimi për kujdesin shëndetësor parësor dhe sekondar. Përgatitja e një strategjie ri konfigurimi për shërbimin spitalor për të riorientuar sistemin e ofrimit të shërbimit shëndetësor drejt atij parësor, rritjen e efiçencës së spitaleve, institucionalizimin e sistemeve të llogarive kombëtare shëndetësore, mbeten ndryshime kryesore, pjesë e reformës në shëndetësi. Ndërsa pika e katërt ka të bëjë me institucionalizimi i sistemeve të Llogarive Kombëtare Shëndetësorë.


Sfidat e sistemit shëndetësor publik

- Përdorimi në rritje të vazhdueshme i shërbimeve shëndetësore
- Rritja e kërkesave për një shërbim me cilësor, përmirësimi i cilësisë së jetesës dhe shtimi të jetëgjatësisë së popullatës
- Rritja e numrit të rasteve të sëmundshmërisë kronike
- Nevoja për zgjerim të gamës së listës së barnave të rimbursuara në sasi e cilësi
- Nevoja në rritje për përmirësimin në aparatura dhe mjete diagnostikuese
- Konkurrenca në rritje në tregun e ofrimit të shërbimeve shëndetësorë

Masat për reduktimin e informalitetit

- Zgjerimi i sistemit të bashkë pagesave
- Implementimi i sistemit të referimit në shërbimin spitalor
- Sanksione të rrepta në kontratën e ofrimit të shërbimeve
- Transparenca për shërbimet e ofruara nëpërmjet listimit në librezën e shëndetit.
- Fuqizimi i rolit të urdhrave të profesionistëve, në sanksione ndaj korrupsionit
- Klasifikimi i spitaleve sipas përformancës
- Fuqizimi me sanksione financiare i kontratës
- Dyfishimi i pagave deri në fund të mandatit të dytë qeverisës
- Vendosja dhe përmirësimi i funksionimit të recepsionit në spitale
- Vlerësimi i informacionit të marrë nga pacientët nëpërmjet kutive

Liri Mëhalla

Last Updated on E Enjte, 25 Shkurt 2010 22:59

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›