Rrugët rurale, jepen 20 milionë USD nga BB
Banka Botërore ka akorduar 20 milionë $ për financimin e rrugëve dytësore dhe atyre rurale në Shqipëri, me qëllim zhvillimin e transportit dhe ekonomisë. Sipas krerëve të bankës projekti, përfshin ndërtimin e 1000-1500 km rrrugë dytësore, por do të mbështesë gjithashtu edhe mirëmbajtjen e rrjetit rrugor.
“ Sipas një raporti të kohëve të fundit, varfëria dhe rrjeti rrugor janë problemet më të mëdha në këto zona, pas punësimit dhe të ardhurave për frymë”- Kështu ka deklaruar Martin Humphreys, kryetar i Task Team.
Projekti, sipas tij do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të jetesës në këto zona, duke bërë të mundur integrimin e tyre në jetën sociale dhe ekonomike. Zbatimi i këtij të fundit përbëhet nga tre faza në të cilat parashikohet: Rehabilitimi i plotë i rrugëve dytësore, i atyre komunale dhe implementimi i mbështetjes institucionale.
Sipas burimeve nga BB, kostoja totale e këtij projekti kap shifrën prej 40 milionë $, nga të cilat: 20 janë dhënë në formë kredie nga IDA, 15 nga fondi i OPEC ( prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i naftës në botë i përbërë nga 12 shtete), dhe 5 milionë $ nga qeveria. Shqipëria u bë pjesë e BB në vitin 1991, në një kohë që në total, janë zbatuar 64 projekte me një vlerë prej 925 milionë $.