Xhorxh Soros: Çmimet e naftës janë spekulative
Investitori miliarder, George Soros, deklaroi dje para Kongresit Amerikan, se “një flluskë po fryhet në bursat ndërkombëtare” dhe se nafta e çmimet e mallrave të tjera nuk duhet të jenë një aset i ligjshëm për investitorët institucionalë. Ai deklaroi para një Komiteti të Kongresit se rritja e çmimeve të naftës janë rezultat i disa ndryshimeve strukturore, por aftësia e institucioneve financiare për të investuar në tregjet “futures”, e ka ekzagjeruar çmimin, duke krijuar një flluskë në tregun e naftës. “Unë e shoh blerjen e mallrave në bursa, që po ndodh në ditët tona, si shenjat e para të një krize të ngjashme me portofolet e sigurimeve, që solli rënien e madhe të bursave në vitin 1987”,- deklaroi Soros. “Në të dyja rastet, institucionet po peshojnë në njërën anë të tregut dhe ata kanë peshë të mjaftueshme për ta ç’balancuar atë. Nëse tendenca ndryshon dhe institucionet- si grup- vendosin të dalin nga tregu, siç bënë në vitin 1987, do të ketë një kolaps”. Komentet e Sorosit, i cili drejton një fond investimesh prej 17 miliardë dollarësh, duket se do të hapin debat mbi rolin e spekulantëve - përfshirë fondet e investimeve dhe ato të pensioneve në rritjen e kostos së energjisë dhe ushqimeve. Vetë Fondi i Sorosit refuzoi të deklaronte se çfarë pozicioni po mbante në treg aktualisht. Qeveritë dhe zyrtarë të tjerë mendojnë se rritja e çmimeve është kryesisht pasojë e kërkesë-ofertës të kombinuar me zhvlerësimin e dollarit. Megjithatë, disa politikanë besojnë se një mur parash ka hyrë në tregjet e mallrave dhe është bërë një faktor kyç. Kongresi Amerikan ka hapur hetime mbi këtë çështje. Sorosi deklaroi gjithashtu, se “kolapsi në tregun e naftës nuk është shumë pranë”. Megjithatë, ai tha se është mirë që të diskurajohen investimet në tregjet e mallrave, si mënyrë për të shmangur krizën.