E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulku mbi 100 000 euro, Hidi 80 000

Tirana po përpiqet të gjejë një trajner të huaj, por edhe të ndërtojë skuadrën për sezonin e ardhshëm

TIRANË - Tirana po përpiqet të gjejë një trajner të huaj, por edhe të ndërtojë skuadrën për sezonin e ardhshëm. Dy prej lojtarëve, që dikur e kanë veshur me sukses fanellën bardheblu, janë edhe Isli Hidi dhe Ervin Bulku. Të dy kanë dëshirë për të ardhur në ish-klubin e tyre, por kuptohet, me disa kushte financiare. Hidi vetë ende nuk ka vendosur, sepse ka oferta nga Qipro, por pëlqen edhe të qëndrojë te Krivbasi i Krivoj Rogut në Ukrainë. Po në atë ekip është edhe Bulku, por ukrainasit nuk kanë ende garanci financiare, pas krizës që provuan sezonin e kaluar. Presidenti Halili po përpiqet ta shfrytëzojë këtë moment dhe ka marrë edhe kërkesat e bëra nga Hidi e Bulku. Sipas burimeve shumë pranë klubit dhe lojtarëve, mësohet se portieri i kombëtares, Hidi, ka kërkuar 80 000 euro në sezon për t’u rikthyer, kurse edhe më e madhe ka qenë kërkesa e mesfushorit, gjithashtu pjesë e kombëtares së Ari Hanit. Sipas burimeve të mësipërme, Bulku kërkon mbi 100 000 euro në sezon. “Nëse Krivbasi do të jetë mirë, do të vazhdoj të luaj aty, - mësohet të ketë thënë Hidi, - nëse jo, do të shikoj mundësi të tjera”.

Dinamo do portierin

Ekziston edhe një mundësi që Hidi të shmangë kalimin për në “Selman Stërmasi”, për të shkuar pak më në jug, te kompleksi sportiv i Dinamos. Burimet pranë lojtarit pohojnë se vetë Hidi e ka menduar këtë mundësi, duke parë edhe paqartësinë që mbretëron tek bardheblutë. Dinamo është skuadra kampione, me pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve (Tirana nuk do jetë aspak në Evropë këtë sezon) dhe me një klub e skuadër të qëndrueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›