E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet e bllokuara paralizojnë Gjykatën e Lartë

 

Topalli po pengon dekretet e presidentit për emërimin e gjyqtarëve, Kolegjet e Bashkuara pezullojnë punën që nga 24 marsi

TIRANË- Kolegjet e Bashkuara pranë Gjykatës së Lartë kanë pushuar së funksionuari që në fund të muajt mars të këtij viti, duke “arkivuar” dosjet që priten të gjykohen nga këto trupa gjykues. Burimet zyrtare pranë këtij institucioni, konfirmuan për “Shekullin” se prej një muaji, Kolegjet e Bashkuara nuk kanë marrë në shqyrtim asnjë dosje penale e civile për shkak të mungesës së gjyqtarëve. Kjo pasi kryeparlamentarja Topalli nuk pranon që të kalojë dekretet e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për emërimin e gjyqtarëve të rinj. E mbështetur edhe nga kryeministri Berisha, ajo ka pezulluar kështu punën e institucionit më të lartë të drejtësisë penale në Shqipëri.

“Që në fund të muajt mars, kur u gjykua çështja e tre gjyqtarëve të Vlorës, nuk janë mbledhur anëtarët e Kolegjeve të Bashkuara. Shkak për këtë janë bërë mbarimi i mandateve të tre anëtarëve të kësaj gjykate në fillim të muajit maj të këtij viti dhe tre anëtarëve të cilët kanë mbaruar mandatin që në vitin 2005, si dhe vonesa e Kuvendit për emërimin e pesë dekreteve të reja të Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Që nga marsi, Kolegjet e Bashkuara kanë pushuari së ekzistuari, duke mos marrë në shqyrtim asnjë dosje penale apo civile siç i parashikon ligji për shkak të mos formimit të tyre të paktën me 13 gjyqtarë nga 17 që janë gjithsej. Ky bllokim ka ardhur nga mos miratimi i gjyqtarëve të rinj nga Kuvendi, të cilët e kanë bllokuar punën e këtyre kolegjeve të bashkuara”,-tha njëri nga gjyqtarët e kësaj gjykate që dëshiroi të mbetet anonim. Ndërkohë, edhe në parashikimet e mëparshme të orareve të shqyrtimit të dosjeve nga Kolegjet e Bashkuara penale dhe civile, ata janë pezulluar duke u shtyrë për në datat e tjera për shkak të mos formimit të Kolegjeve gjykuese. Kjo ngecje e punës së Kolegjeve të Bashkuara është reflektuar edhe tek palët ankuese, duke mos përjashtuar këtu rastet edhe të grumbullimit të dosjeve pranë këtij institucioni. “Pezullimi i punës së Kolegjeve të Bashkuara ka bërë që dosjet që kishin radhën e shqyrtimit dhe ato që sillen për çdo ditë, po arkivohen për një datë tjetër duke i grumbulluar për në momentin e formimit të këtyre trupave gjykuese”,-thuhet nga burimet pranë kësaj gjykate. Ndërkohë, sot pasdite i mbaron mandati edhe kryetarit të kësaj gjykate, gjyqtarit Thimio Kondi duke mbetur kështu edhe vendi i kryetarit të kësaj gjykate vakant deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Kryetar i cili prej më shumë se 10 dite nuk ka marrë pjesë në asnjë proces gjyqësor, pasi sipas ligjit për funksionimin e detyrës së gjyqtarit atij nuk i lejohet që 10 ditë para mbarimit të mandatit të marrë pjesë apo shqyrtojë dosje penale a civile. Ndërsa, pezullimi i punës së Kolegjeve ka pushuar zyrtarisht që me datë 1 maj, kur i mbaroi 10 ditë para datës së përfundimit të mandatit tre gjyqtarëve të tjerë, Artan Hoxha, Nikoleta Kita dhe Agron A. Lamaj, të cilët nuk kanë shqyrtuar asnjë dosje që me datë 10 maj. Kështu, krahas katër anëtarëve që i mbaroi mandati, tashmë listës së vendeve vakante i janë shtuar edhe tre gjyqtarë të tjerë, dy prej të cilëve i ka mbaruar mandati që në vitin 2005. Ndërsa Kuvendi është vonuar për të dhënë pëlqimin për pesë anëtarët e rinj të dekretuar nga Presidenti i Republikës gjatë muajit maj. Aktualisht, në Gjykatën e Lartë ushtrojnë funksionin vetëm 10 gjyqtarë, nga 17 që përmban organika e institucionit, ose e thënë ndryshe një kolegj civil dhe një penal të përbërë nga pesë gjyqtarë. Mësohet se e gjithë puna e Gjykatës së Lartë ka rënë mbi duart e 10 gjykatësve efektivë, të cilët u kanë dhënë përparësi masave të sigurisë, transferimit të çështjeve, kërkesave penale nga të burgosurit për transferime, rivendosje në afat dhe rigjykime të çështjeve, të cilave u kalojnë afatet e gjykimit. Përparësi u jepet edhe çështjeve që rikthehen me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa për sa i përket gjykimit në themel të çështjeve të tjera, ato shtyhen nga njëra datë në tjetrën dhe është e pamundur që ato të gjykohen të paktën edhe për muajt në vazhdim. Ndërkaq, sipas ligjeve në fuqi, mandati i anëtarëve të Gjykatës së Lartë fillon nga koha kur dekretohen prej kreut të shtetit dhe jo nga koha kur Kuvendi jep pëlqimin. Aktualisht, mandati i pesë të dekretuarve javët e fundit nga Presidenti Topi: Kristaq Traja, Zamir Poda, Artan Zeneli, Medi Bici dhe Altina Xhoxhaj, llogaritet të ketë nisur që nga datat 12 dhe 22 maj, sipas dekreteve për secilin, dhe nëse Kuvendi i aprovon, atëherë mandatet e tyre përfundojnë pas 9 vitesh në të njëjtat data.

GJYKATA E LARTË

NË DETYRË:

Perikli ZAHARIA, anëtar, dekretuar më 6 qershor 2000

Spiro SPIRO, anëtar, dekretuar më 2 tetor 2001

Irma BALA, anëtar, dekretuar më 9 prill 2001

Evjeni SINOMERI, anëtar, dekretuar më 2 maj 2001

Shpresa BEÇAJ, anëtar, dekretuar më 23 mars 2004

Besnik IMERAJ, anëtar, dekretuar më 17 shkurt 2005

Ardian DVORANI, anëtar, dekretuar 17 shkurt 2005

Gani DIZDARI, anëtar, dekretuar më 15 qershor 2005

Fatos LULO, anëtar, dekretuar më 15 nëntor 2005

Ardian NUNI, anëtar, dekretuar më 4 prill 2007

PËRFUNDOI MANDATI:

Artan HOXHA, anëtar, përfunduar mandati më 21 maj 2008

Nikoleta KITA, anëtar, përfunduar mandati më 21 maj 2008

Agron A. LAMAJ, anëtar, përfunduar mandati më 21 maj 2008

Thimjo KONDI, kryetar, përfundon mandati 6 qershor 2008

Ylvi MYRTJA, anëtar, përfunduar mandati shkurt 2008

Vladimir BINERI, anëtar përfunduar mandati 2005

Vladimir KRISTO, anëtar, përfunduar mandati 2005

BLLOKUAR NË KUVEND:

Kristaq TRAJA, dekretuar më 12 maj 2008

Zamir PODA, dekretuar më 12 maj 2008

Artan ZENELI, dekretuar më 12 maj 2008

Medi BICI, dekretuar më 22 maj 2008

Altina XHOXHAJ, dekretuar më 22 maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›