Rrugët zbuluan bukuritë e fshehura
Nuk përbën ndonjë çudi që, Lonely Planet apo Televizioni CNN, si dhe të ngjashmit e tyre,dhe gazeta e revista me emër në botë, u zbuluan të huajve Shqipërinë e panjohur turistike. Prapësi e praptë qe se, bukuritë e Shqipërisë patën mbetur të panjohura edhe për shtetasit e saj. Nëse kolektivizimi i plotë e ktheu pronën në pasuri të askujt, e denjë për thënien “malli i shtetit është si ujët e detit, kush nuk merr është derr”, në bukuri të kurrkujt qenë shndërruar edhe viset turistike të vendit. Madje, fjala turizëm as që përdorej - sepse nuk kishte turizëm të njëmendtë, përveç disa ndërtesave që thirreshin gojarisht hotel - turizmi, dhe një apo dy autobusëve të hotel “Dajti”, me emrin “Albturist” shkruar përanash. Kjo fjalë pati marrë edhe ngarkesë qortuese a shpotitëse, ndaj dikujt nga dikush, duke e spikatur për keq: “ç’më rri ashtu si turist!” Do të ishte interesante një statistikë, qoftë edhe e thjeshtë, për t’u ditur gjendja: Shqipëria, ka pasur më shumë burgje dhe kampe internimi apo shtëpi pushimi e hotele turizmi, edhe ato me fare pak shtretër, përjashto kabinat me dhoga gjysmë të kalbura të Plazhit të Durrësit, i cilit fillonte te “Apolonia” dhe mbaronte te “Iliria”, ngjitur me Bllokun veror të udhëheqjes në bregdet? Zona e Shkëmbit të Kavajës, përshembull, njihej nga kënga e Fitnete Rexhës, për bubullimat e një historie trimërie kushedi se kur atje, nga tunelet bunker që prisnin për luftën pushtuese, dhe pak pushues zbarkuar nga treni i ngadaltë, aty nëpër pishnajë, dhe me bukë në trastë.
Po të ndjekësh publikimet e gazetave dhe transmetimet e televizioneve tona, në përpjekje të zbulimit e të njohjes së Shqipërisë turistike, le të përmendim përshembull Kanionet e Osumit në Skrapar, plazhi i Jalës në Himarë, Rana e Hjedhun në Lezhë apo Valbona marramendëse në Tropojë, bie në sy e të mbetet në mendje, tek flitet për vende të bukura si të rëna prej qiellit tash së voni, apo trishtueshëm të ngelura jashtë vëmendjes së shqiptarëve, nga balada e stomakut “të sigurojmë bukën në vend”. Shqipëria vërtetë është “një pëllëmbë shtet”, por ndërthurja e pazakontë e pasurive të saj, mbitokësore, detare, liqenore, lumore, kënetore, malore, kodrinore e pyjore, një numër prej tyre ende të panjohura, që presin të zbulohen kur drejt tyre të mbërrijnë rrugët ende në ndërtim, ia disafishojnë përmasën fizike Shqipërisë, ashtu siç sipërfaqja hidrike e saj, nga terreni fort i rrudhur në formë malesh të lartë e kodrash të shumta, shkon në rreth 54 000 kilometra katrorë, nga 28 000 kilometra katrorë që është sipërfaqja e territorit shtetëror.
Ky zbulim i Shqipërisë turistike, që përshkruhet nga gazetarë të rinj deri me habi, “e paskemi pasur e nuk e kemi ditur!”, ka dy arsye që e shpjegojnë, pse kanë qenë të fshehura nga mosnjohja, dhe si po i gjejmë ku janë. Ka ndodhur ngjashëm si dikur, me fshatarët tanë që, në pak metra katrorë përpara derës së shtëpisë, ata mbillnin ca fidanë domatesh, specash a preshi, por jo lule; shtëpitë e bukura të sotme, kanë përpara tyre lëndinëza bari që kositet rrafsh si qilim qarkuar me plot lule. Popujt që mbjellin e përdorin shumë lule, janë popuj të nginjur. Ne ishim një popull që vriste mendjen vetëm për kafshatën e gojës. Kësisoj kishte ndodhur edhe me bukuritë e vendit: shqiptarëve nuk u hynin në sy bukuritë e atdheut apo të fusnin dorën në xhep për të shëtitur viset ku gjendeshin ato. Vramendja e tyre qe përballimi i jetës së përditshme, “a e kemi bukën?” Një shkak tjetër madhor i mosdijes, çfarë atdheu kishte të bukur, qe kufizimi i dyfishtë i lirisë së lëvizjes: shumë syresh gjendeshin në vise të largëta dhe zona kufitare, ku nuk mund të shkohej pa lejen e degës së punëve të brendshme, pasi udhëtuesi të shpjegohej mirë e mirë e të verifikohej përse kërkonte të shkonte atje, domethënë të krijohej bindja politike se, ai nuk kishte qëllim arratisjeje. Por, edhe vendet e bukura në brendësi të vendit, nuk mund të mbërriheshin, pasi për të shkuar atje duheshin lekë, rrugët s’qenë ose qenë për dreq, mjete e udhëtimit të pakta e hiç, dhe, ja edhe shkove, po ku të kaloje natën? Të shkoje te Shtatë Liqenjtë e Lurës, në Voskopojë, mbi Tomorr, te Kepi i Rodonit, përtej Qafë-Shtamës, në pyjet e Bukanikut, Luginën e Valbonës, Lugun e Shalës, Vermoshin verior, Llogaranë mal e mbi det, në Jalën magjepsëse, në Butrintin e lashtë, te Dajlani i Karavastasë, në malin më të lartë të Korabit, në Frashër të Frashërllinjve, te Syri i Kaltër si një habi natyrore etj. etj., nuk qe një ndërmarrje e lehtë. Ato janë përballuar vetëm nga pak alpinistë që mbështeteshin në mënyrë të varfër; nga ca gazetarë që shkonin me shërbime me dieta të pakta; tetëmbëdhjetëvjeçarë që thirreshin ushtarë e çoheshin në pika ushtarake të degdisura, të cilëve bukuritë as që u hynin në sy ashtu të vetmuar; barinjtë kur ngjiteshin verës për t’i veruar bagëtitë e kooperativës; ndonjë gjeograf kokëkrisur; dhe aq pak pushues, me një fletë kampi që merrej me shumë zor. Kurrë nuk e kam harruar një verë, në fillim të viteve ’70-të, kur me detyrën e gazetarit, rastësisht u gjenda i pranishëm në një situatë të pabesueshme: te zyra e instruktorit për shtëpitë e pushimit dhe fletët e kampit, në Bashkimet Profesionale të Shqipërisë, u paraqit me një thjeshtësi proverbiale Prof. Eqrem Çabej. Ai kërkoi një fletë kampi, por instruktori i tha: “S’ka më!”
Shqipëria turistike, e cila ka qenë këtu jetë e mot, madje edhe më natyrore sesa tani, pasi nuk kishte ndotje neveritëse qesesh e shishesh plastike për shkak të pazhvillimit e flakjes së papërgjegjshme, ka disa arsye madhore të zbulimit të saj. Mbi të gjitha është liria dhe ekonomia e tregut. Këto dy kushte u krijuan me dhënien fund të mbylljes së popullit në shtetin-klon, dhe zhbërjes së kloneve brenda për brenda shtetit-klon. Por, edhe pse këto të dyja ishin kushti numër një, turizmi shqiptar nuk u zhvillua, bukuritë e vendit mbetën atje, në pritje, të ndikimit për mirë të faktorëve të mëdhenj: bumit të ndërtimit të rrugëve pas vitit 2005, zhvillimit të vrullshëm të transportit vetjak dhe ngritjes së infrastrukturës hoteliere. Por, kurora e vërshimit turistik me 4.7 milionë vizitorë në vitin 2012 dhe klasifikimit nga Lonely Planet të Shqipërisë në 10 vendet kryesore turistike të botës, gjatë vitit 2011, janë rrugët. Po, rrugët, rrugët dhe rrugët! A nuk e keni vërejtur se Shqipëria është zvogëluar e bërë një pëllëmbë? Të gjithë faktorët e tjerë janë domosdoshmëri për një turizëm masiv e cilësor, por suksesi i menjëhershëm turistik në këto katër - pesë vite është puna madhështore për ndërtimin e infrastukturës rrugore bashkëkohore. Le ta pranojmë: te Shqipëria turistike na çuan rrugët, që u ndërtuan për të shkuar te detet, luginat, malet, liqenet, lumenjtë. Ngjitja vertikale turistike e Shqipërisë u krye nga sistemi rrugor, ndërsa turizmi cilësor do të arrihet në vazhdim e pandërprerë, me të gjithë faktorët e tjerë së bashku. Rrugët, për Shqipërinë turistike, bënë atë që bën pëlhura, kur përurohet shtatorja: ne mund të kundrojmë veprën e artit, vetëm pasi tërhiqet mbulesa të bjerë poshtë, e para syve të të pranishmëve shfaqet pamja e fshehur. Rrugët janë ato që nxorën në pah thesaret turistike të atdheut, të cilat aty ishin, por qenë aq larg shqiptarëve, si të ishin të paqena, siç të paqena qenë edhe rrugët për atje.