Kontribut nga të gjithë për ndryshimin
Ermentila Guçi/qytetare, Vlorë
-Cilido prej nesh ndeshet me udhëkryqet e jetës dhe kemi nevojë për një dozë shprese për të na ndihmuar në realizimin e ëndrrave, edhe pse disa prej tyre janë shumë të thjeshta, jetike në jetën tonë. Mjafton të dalim nga shtëpia e të shohim rrugët që në shumicën e rasteve edhe pse jemi në prag të sezonit turistik, janë me gropa e ku pluhuri të përplaset në fytyrë për ta bërë më të ashpër realitetin e nevojën e një ndryshimi; ikën me shpresën që herën tjetër, kur të shkosh në të njëjtin vend gropat nuk do të ekzistojnë më. Kur troket për një vend pune, parimi sipas meritokracisë është i huaj, por sipas mikut që ke; ikën me shpresën që nesër në trokitjen tjetër ai vend është i joni. Vete në spital, por kuleta jonë nuk është e mjaftueshme për të na shërbyer sipas çmimit të mjekut; lutesh me shpresën që në një të ardhme mjekësia të jetë më humanitare sesa monetare. Shikojmë njerëz me aftësi të kufizuara që kërkojnë të drejtat e tyre, por zëri i tyre nuk dëgjohet. Ata enden sa andej - këtej me shpresë që dikush do t’u japë edhe atyre një dorë në realizimin e dëshirave. Fëmijë të ngujuar nga gjakmarrja e pse nuk shohin diell me sy, ata ëndërrojnë se një ditë dhe ata do të kenë shpresë të lëvizin, të vrapojnë në kërkim të fatit të tyre...Njerëz analfabetë që për rrethana të ndryshme ekonomike-sociale, nuk dinë të shkruajnë dot as emrin e tyre, kanë nevojë për një dozë shprese që të integrohen në shoqërinë e teknologjive të kohës që po jetojmë. Familje të varfra që i shtyjnë ditët veç duke përdorur fëmijët e tyre minorenë për kafshatën ë bukës, kanë nevojë për një dozë shprese që të ngrihen një ditë nga gjumi me barkun plot. Njerëzit që kanë humbur të afërmit e tyre nga vrasje që bëhen ditë për ditë, edhe ata kanë nevojë për një dozë shprese që duhet t’u falë drejtësia. Shikojmë si funksionon shteti e mendojmë se nuk e meritojmë këtë qeverisje, kemi nevojë për një shpresën se gjërat do të ndryshojnë, sepse një pjesë e problemeve që mbart shoqëria është për meritë të atyre që na drejtojnë. Pra të gjithë kemi nevojë për një dozë shprese, sepse është bukur të shikosh qytetarët e t’u të lumtur e sa më pak lot në sytë e tyre. Prandaj ekziston shpresa se secili prej nesh ka si detyrë të kontribuojë për të ndryshuar diçka!