E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani B opozitar!

rama-metaNga Artan Xh. Duka

Nga e thëna në të bërë

Rotacioni politik është domosdoshmëri jo thjesht sepse e tillë është pritshmëria pas dy mandatesh në pushtet (rregull i pashkruar ky sikurse vijimësia e qeverisjes normale është një tjetër) por sepse mazhoranca që keqqeveris në kohë borxh prej 2009 (pasi fabrikoi fitoren dhe arkivoi letrat), ka tejkaluar çdo pritshmëri abuzimi. E ndërkohë që lindorët prej vitesh gëzojnë familjarisht kudo në BE privilegjet e BE, shqiptarët prej dekadash ndodhen në geton e karantinës së tranzicionit me përgjegjës politikën démodé ku konstant mbetet protagonizmi qeveritar që rotacioni synon.

Por ndonëse i pritshëm, rotacioni nuk ka asnjë garanci që të ndodhë natyrshëm. E humbura e pritshme, mazhoranca, po jep shenja se do të kuturiset të përsëritë sërish alkiminë zgjedhore të 1996, 2009 apo 2011, duke e bërë fitoren fakt të kryer ndaj publikut e perëndimit dhe në pamundësi të saj, diferenca të rikuperueshme me merkato deputetësh, të mjaftueshme për të provokuar kriza politike më pas. Precedent ky që spekulon me psikozën e murit nuk i bihet me kokë apo të marrit hapi udhë sa kohë kjo mazhorancë njihet për sindromën pas meje qameti.

Një skenar ky jo hipotetik, ndaj të cilit retorika opozitare e përballjes me popullin është e debatueshme pas eksperiencave të së shkuarës duke bërë të domosdoshëm për të ngritjen e një qendre efikase krizash me fokus skenarët eventual dhe reagimin përkatës opozitar.

Lupën opozitës!

Në këtë kontekst, çdo pështjellim në kampin opozitar që devijon vëmendjen prej mazhorancës, komprometon shanset për rotacion. Ndonëse opozita ka shumë problematika si kacafytja brenda llojit, gara për protagonizëm, klientelizmi, të pavarurit, kauza morale etj, lupa e zellshme ndaj saj, momentalisht është luks për një shoqëri në krizë dhe ajo lipset të adresohet gjetiu deri në një kohë të dytë.

Asgjë nuk është e imunizuar nga kritika në sjelljen opozitare. Deri ftesa për Tony Blair në asistimin e qeverisë së ardhshme. Një kolos i politikës ky që përtej një simbolike unike ideologjike e shtetare, mbetet një emblemë kombëtare për rolin historik në sensibilizimin dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare me çlirimin e Kosovës. Duke e bërë nderimin dhe përjetësimin e veprës së tij, Presidentëve Clinton e Bush dhe Mbretëreshës Elizabet si përfaqësues të kombit amerikan e britanik që u detyrohemi aq shumë, një detyrim historik. Asistenca e tij në reformimin drejt BE, është e mirëpritur e unike dhe meriton kontributin e taksapaguesve përkundrejt sponsorizimeve që mund të provokojnë debate me kosto në moralin e qeverisjes. Bashkëpunim ky që duhet të zgjerohet edhe me politikanë me zë gjermanë, të cilët kur vjen puna për integrimin, thonë fjalën e fundit.

Kryedilema e qershorit, sesa lloji i ndryshimit, është ndodhja e tij, sesa identikiti i qeverisë së re, është fakti nëse do të vazhdojë e njëjta qeveri e cila me ngut po kopsit dhe po vë në lëvizje haptazi apo tinëzi, në terren apo në majën e piramidës zgjedhore (KQZ), në pushtet lokal, qendror, institucione kushtetuese, monitorues të huaj etj, çdo ingranazh që inicion, garanton, legalizon e finalizon alkiminë me votën për të provokuar sërish me faktin e kryer të retorikës sovrani foli.

Gjasat e votës plebishitare

Nëse abuzimi elektoral është fatalitet, dilemë mbetet reagimi opozitar. Parandalimi përmes votës plebishitare mbetet një argument i preferuar i saj (diferencë me 200 mijë vota) sepse në mos dekurajon abuzimin, rrit no comment koston e ekspozimit dhe diskreditimit prej zënies në flagrancë në trukimin e shifrave që nuk rrumbullakosen dot. Nisur nga premisa se kjo mazhorancë ka sadopak cipë ndërkohë që e kaluara flet ndryshe.

Vetë vota plebishitare është funksion i besueshmërisë, kohezionit opozitar, infrastrukturës zgjedhore, kontekstit etj. Fragmentizimi opozitar me daljen më vete të FRD, AK (denigrimi dhe embargo ndaj të cilës nga opozita tradicionale dhe media klienteliste ndikon në kohezionin pro-rotacion, pasivitetin e votuesit gri etj), kosto morale e koalicioneve të befta 180 gradëshe, fushatat e shtrenjta, jo transparente e tepër virtuale për një elektorat modest deri në skamje të tejskajshme (për të cilin Facebook e Twitter janë pa kuptim), listat kulisa zgjedhore, qendrat e votimit të paarritshme nga të sëmurë, PAK, të moshuar, vapa e qershorit, rradhët etj janë faktorë që kanë efekt dhe opozita bën mirë ti parashikojë (detanta mes vetes, komunikimi më i personalizuar, organizimi i transportit, çuarja e kutive të votimit në shtëpi, azile, spitale, asistimi në radhë etj).

Opozita duhet të jetë realiste në tentativën për konvertim të elektoratit tradicional të PD (rasti i zonave informale), për më tepër në kurriz të atij besnik apo premtues. Në funksion të votës, opozita mund të tundohet ti japë prioritet interesave të segmenteve të mëdhenj në elektorat, pavarësisht antiligjores në origjinë (zonat informale) ndërkohë që vota duhet të shtohet përmes dhënies prioritet interesave legale dhe parimore në shoqëri, pavarësisht minorancës që e përfaqëson (pronarët, të pastrehët në shtëpitë e pronarëve etj) gjë që ngjall respekt tek të tretë që inspirojnë dhe votojnë një qeverisje parimore.  Jo gjithçka është ekonomi shkalle dhe i njëjti zell që dëshmohet, në emër të parimit, për minorancat etnike, orientimit seksual etj, duhet të dëshmohet edhe për segmente që, sado modeste, janë me të drejtën.

Plebishiti presupozon lënien e derës së bashkëpunimit hapur edhe me faktorë ish që sot listohen tek kundërshtari dhe që në një moment të dytë mund të rigrupohen në emër të një kauze superiore sikundër precedenti PS-LSI dëshmoi.

Me presh në duar!

Opozita duhet të dokumentojë dhe përdorë efektivisht çdo abuzim elektoral duke minimizuar fragmentizimin, kakofoninë, rastësinë etj që zhvlerëson të tërën më pas. Sfidë serioze kjo ndaj një mazhorance të kualifikuar që edhe kur kapet me presh në duar, tenton të davaritë vëmendjen e fitojë kohë përmes kanalizimit të ankimimit në instanca dhe seanca farsë dhe deri arbitraritetin si hap final (p.sh. arkivimi i dokumentacionit zgjedhor të 2009).

Kjo nënkupton infrastrukturë, monitorim kapilar e përpunim në kohë reale të fakteve, publikim sinkron dhe të përqendruar të  tyre (e mundshme në zonat urbane por sfidë për provincën ku lajmi zor se bëhet i tillë), burime njerëzore, koordinim dhe mirëbesim reciprok (krisjet apo daljet më vete brenda opozitës cenojnë sadopak p.sh. rasti i vëzhguesve) etj. Vetë dokumentimi dhe ankimimi fjala ime ndaj fjalës tënde rrezikon kalendat greke duke rezultuar i pavlerë dhe tejkaluar në kohë ndërkohë që mazhoranca vijon me mandatin e trukuar të saj

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›