E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më mirë një Olldash se një Bash

bld (1)Nga Bledi Mane- Public Enemy

1./Që socialistët mos flenë mbi dafina

Edhe dy vjet pincë do e keni. Do bëjë si gore e keqe në parlament dhe ku të mundë tjetër. Do u shajë e mallkojë, do u shantazhojë dhe do u kërcënojë me përgjimet që u ka bërë ministria e Imam bajalldisë së Elbasanit. Sërish telenovela e grave tuaja, e dashnoreve, komshinjve, kushërinjve do të ritransmetohet bajatshëm, ndërsa miqtë e paguar në Perëndim do të futen skuthshëm nëpër analet e Brukselit dhe të Uashingtonit për tu brejtur qeverisjen tuaj të së nesërmes. Podesta dhe podestarët do të bëjnë adetet e fundit e pasi të kenë përlarë gjithçka nga paratë e tij (tonat) do i lenë shëndenë për ndonjë lobing tjetër azerbajxhanas.

Maji i 2015 do e shkërmoqë komplet. Humbja e Lulzim Bashës do i humbë përfundimisht toruan dhe ekuilibrat e sheqernave në gjak. Ashtu i kërrusur djathtas, i rrudhosur e i palosur më dysh, ky plak i veremosur do u shqitet ekraneve dhe mikrofonave e ka për tu rënë në pjesë azileve dhe klinikave private se nusja e Xenit apo burri i Gitës nuk do kenë nge ti vinë pas avazit. Problemet me drejtësinë dhe me depozitat e tyre bankare në Qipro, Katar, Oman dhe Bahrein nuk do u lenë kohë të konsumojnë kot kohën me të rrjedhurin.

Dhe këtu fillon shqetësimi madhor. 24 muajt e parë të qeverisjes socialiste do të jenë sa të përgjegjshme, aq edhe produktive. Veç premtimeve të dhëna elektoratit, veç mizorisë së lënë pas nga qeverisja e djathtë (e djathtë???), veç agresivitetit dhe dhunës që do u shpalosë opozita e Salit, veç intrigave familjare me Kaç e me Dogjan e me maç do të ndihet paskësaj një boshllëk i rrezikshëm.

Lul Basha do trashëgojë drejtimin e demokratëve dhe kjo nuk vihet aspak në dyshim. Dashuria e madhe për Lulin e vocërr nuk i është shuar, por do i kurbëzohet më tepër ditën kur do e qërojnë nga bashkia e Tiranës jo me 10, por me 10 mijë vota. Ndërkaq si langaraqe PD-ja e tulatur dhe e klanëzuar do të dilemosë perspektivën e saj dhe të së djathtës në përgjithësi. Frika prej Berishës në ikje do tu sundojë ende mbi dhe brenda kokës liderëve të rinj blu. Të pakënaqur, elita në pritje e demokratëve do ta shpartallojnë gradualisht e do ta rrjepë të gjallë udhëheqësin e ri pa këllqe Basha Lulëzim. Inati dhe katapultimi prek kopisti në 2005-n e deri te marrja e postit të kryetarit më 2015 thjesht do të agravojë marinë dhe sulmin ndaj tij. Olldashë, Patozë, Palokë, Rusmajlë, Topallë do e kalisin durimin deri sa të japë frymën e fundit Berisha dhe nuk do i lenë nam e nishan (jo si i Bujarit) vetë Bashës.

Përballë, partia dhe qeverisja socialiste do të gjendet më e lehtësuar dhe më e relaksuar. Pa Berishën, por me Bashën nëpër këmbë monotonia do ti pllakosë. Pa një opozitë agresive, përgjegjësia qeverisëse do të zbehet dhe eksperiencat me blerje mediumesh do të ringjallen më keq si te klani i Sandrit të Fevzos. Ngordhja finale e Berishës do i gëzojë të majtët pa masë e të ekzaltuar do të konsumohen duke u mburrur.

Lul Basha si lider opozite dhe si spurdhjak i qullët nuk ka për tu kthyer rrezik real për të majtët. Intrigat dhe allishverishest brenda partisë së tij nuk do i lenë kohë të merret me interpelanca apo me opozitë të fortë. Pa këllqe, me frikë prej gruas së tij, me frikë prej Argitës dhe Jozefinës, Basha do ta katandisë opozitarizmin shqiptar si qeverisjet e dikurshme të Ylli Bufit. PD-ja do të bëhet han me dhjetëra porta, ku gola do të shënojnë edhe lojtarët rezervë.

2./Shpëtoni Shpëtim Rroqin

Qeverisjes së pas 23 qershorit i intereson jashtëzakonisht një opozitë si e Lulit po a do i interesonte zhvillimit dhe progresit të vendit?

Socialistët e sotëm nuk e kanë për natyrë diversionin dhe futjen e hundëve në punët e komshiut përballë. Besnikërinë dhe tribalizmin e demokratëve nuk mund ta blejnë dot as me tendera e as me joshje brukseliane. Koha kur vetë Meta apo Nano joshnin Genc Pollon apo Shpëtim Rroqin do të ketë përfunduar deri atëherë. Kaçi ngjyrë gri (i dalë boje) i ngopur e i majmur financiarisht nga të doktorit sa prej frikës dhe sa prej inatit me Ramën do të qëndrojë në llogoren që ka zënë. PD-ja që brehet vazhdimisht nuk do të mundë të bëjë asnjë hap institucional votëbesimi ndaj Bashës deri sa Berisha të iki te Gazidede. Të presësh preludin fizik të Salit do të thotë të marrësh më qafë pluralizmin dhe qeverisja thjesht të vegjetojë. Një stanjacion tjetër do e nxinte krejt këtë vend dhe militantizmi primitiv do të mysybetonte jug dhe veri, rrugë e shkolla. Mandati i dytë për socialistë do të ishte një kafshatë lehtësisht e kapërdishme dhe… ku ishim? Hiç gjëkundi, çfarë bëmë? Asgjë plako, asgjë!

Një kryeopozitar Bashë i leshtë, frikacak dhe i trashë do të na vërtitej si mumje e doktorit lartë e poshtë dhe do dëmtonte të djathtë e të majtë. Pavarësisht përpjekjeve meskine dhe hakmarrjes së Jozefinës, të gjithë bashkë duhet të kontribuojmë në konturimin e një lideri më radikal, më punëtor dhe më trim. Të gjithë? Po, fjalën e kam për njerëzit e medias, impakti i të cilëve duhet të fillojë të rezonancojë qysh më 24 qershor, në mëngjes. Më mirë një Olldash apo një Jozefinë në krye të opozitës sesa një model mediokër dhe të qullët si Luli.

-Më falni, çfarë thatë, ka propozime?

-Po, po, patjetër. Më mirë gruaja e Lulit sesa vetë Lulin mëkëmbës të doktorit.

facebook.com/bledi.mane

twitter.com/blediMANE

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›