E Diel, 1 Nëntor 2026

Rubio: Nuk iki te Kukësi, pranoj kushtet te Tirana

Gazeta Shqip

Tirana

Trajneri dhe mbrojtësi Arjan Pisha e refuzuan ofertën dje

Edhe pse po i afrohet fundit, merkatoja e kampionatit tonë kombëtar po zien nga dita në ditë prej transferimeve nga njëri ekip në tjetrin. Transferime të bujshme ka pasur nga java në javë, ku ajo më e papritura ka qenë kalimi i Gjergji Muzakës nga Skënderbeu në radhët e Flamurtarit për 10.5 milionë lekë të reja. Por, pas ekipeve me emër në vendin tonë, në hartën e futbollit kanë hyrë edhe skuadra të rretheve, të cilat kanë nisur investimet e tyre. Krahas Flamurtarit, Tiranës, Vllaznisë, Skënderbeut, Teutës dhe Besës nuk kanë mbetur pas as debutuesit e Kukësit, të cilët e nisën merkaton me trajnerin Cungu dhe drejtorin teknik Starova. Fill pas tyre erdhën e lojtarë të tjerë, ku Progni dhe Allmuça ishin surpriza, pasi të dy lojtarët kanë luajtur me ekipet më me emër në kampionatin tonë gjatë viteve të mëparshme.

Negociatat me Rubion

Lajmi më interesant është se edhe trajneri i bardhebluve, Hulian Rubio Sançez, për dy ditë ka qenë në tratativat e kalimit në radhët e Kukësit në rolin e trajnerit. Por, pas dy ditë bisedimesh, tekniku spanjoll i Tiranës ka dhënë përgjigje negative për kuksianët dhe pozitive për drejtuesit e Tiranës. Fjalët e tij të fundit në bisedimet që pati me presidentin e Kukësit për dy ditë me radhë kanë qenë këto: Nuk mund të vij te ju. Unë do të qëndroj te Tirana dhe pranoj kushtet që më kanë vendosur atje. Administratori i klubit bardheblu, Salih Tagani, pak ditë më parë ka bërë të ditur edhe kushtet e kontratës, ku Rubios i janë ofruar 260 mijë euro për dy sezone qëndrimi te Tirana, me kusht që ti japë Tiranës titullin e 25 kampion.

Arjan Pisha

Përveç bisedimeve të dy ditëve të fundit me trajnerin Hulian Rubio, i cili ka fituar tri trofe me Tiranën, presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka biseduar për një kohë të gjatë me mbrojtësin kryeqytetas Arjan Pisha, për të pasur shërbimet e tij në radhët e skuadrës që ka nën pronësi. Por fill pas deklaratës së trajnerit, ka ardhur edhe përgjigjja e shumëpritur e mbrojtësit bardheblu, i cili kaloi një sezon më parë nga Dinamo te Tirana. Edhe lojtari, ashtu si trajneri i tij, ka dhënë përgjigje negative. Pra, ai nuk do ta veshë fanellën e verilindorëve për këtë sezon dhe do të qëndrojë te Tirana. Kontrata e tij do të zgajtet edhe për një sezon, me kushtet që ka pasur edhe sezonin e kaluar. Kështu, Pisha i shtohet listës së lojtarëve të Tiranës për sezonin e ri. Ndërsa pas këtyre zyrtarizimeve pritet të ketë edhe një goditje tjetër në merkaton e bardhebluve.

Rubio: Nuk iki te Kukësi, pranoj kushtet te Tirana burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›