E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dopingu, Hysen Pulaku e apelon në Lozanë

TIRANE-Betejë e re ligjore pritet të nisë nga peshëngritësi i Kombëtares shqiptare, Hysen Pulaku, pas përjashtimit me doping nga Lojërat Olimpike “Londër 2012”. Ndërsa është në pritje të dënimit nga Federata Botërore (IWF), që me shumë gjasa do të jetë katër vite, njëherësh Pulaku ka vendosur ta apelojë çështjen në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (CAS). Lajmi konfirmohet zyrtarisht për “Panorama Sport” nga burime pranë Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.

Ajo që e përforcon edhe më shumë nismën e sportistit, i cili rezultoi pozitiv në Olimpiadë ndaj substancës së stanozolol, ka qenë prezenca e trajnerit të tij Sami Pulaku paraditen e djeshme në zyrat e FSHP-së. Ndërsa trajneri i sportistit nuk preferon të japë detaje rreth procedurave që kanë nisur për këtë çështje me gjithë insistimin e gazetës, burime të federatës sqarojnë se sportisti pretendon se në proteinat e marra prej tij ka pasur përmbajtje të substancës dopuese, stanozol, por që nuk ishte e shkruar në udhëzues, çka rezultoi fatale për të. Pulaku ishte sportisti i dytë shqiptar që humbiste Olimpiadën, vetëm pak përpara startit të saj, pasi në fillim të korrikut dhe atletes Luiza Gega iu mohua pjesëmarrja në Olimpiadën e 30-të verore, pasi koha e saj kualifikuese e realizuar në 1500 metra në kampionatin kombëtar të Maqedonisë, por i licencuar nga IAAF, u zerua me argumentin se ishte vendosur në një garë të përzierë (me meshkuj). Ndërkohë që në maj humbi të drejtën e tij për pjesëmarrje në “Londër 2012” dhe peshëngritësi Erkand Qerimaj (me doping), për të cilin pretendohej dhe për medalje në Olimpiadë.

Precedentët
Rasti me doping i Pulakut ishte i katërti në më pak se 1 vit për Federatën e Peshëngritjes, pas Shqiponja Brahjes me substancën T/E 65, Ilirjan Sulit me “methandienone” dhe Erkand Qerimajt me “methylhexaneamine”, ky i fundit i vetmi nga tanët që e apeloi çështjen në Lozanë dhe ku përfitoi ulje të ndjeshme të dënimit, 11 muaj. Në “Londër 2012” Federata e Peshëngritjes kishte numrin më të madh të delegacionit, 5 (para përjashtimit të Pulakut): Romela Begaj, Briken Calja, Daniel Godelli dhe Endri Karina.

(d.b/PanoramaSport/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›