E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Berisha më kërcënoi, Patozi ishte dakord me ne

Kreu i Grupit PS, Ruçi

Kreu i Grupit Parlamentar Socialist jep kronologjinë e konfliktit.

Kreu i Grupit Parlamentar socialist Gramoz Ruçi, tri orë pas votimit në Parlament, nga selia rozë tregoi atë që kishte ndodhur në sallën e Kuvendit. Ai tha se ishte kanosur nga Kryeministri Berisha me fjalët: Ti, ju e keni provuar më 21 janar. Ruçi hodhi poshtë pretendimet e kryetares së Kuvendit, se ishte opozita që provokoi debate në sallë. Po ju komunikoj se çfarë ndodhi realisht. Gjatë komunikimit jashtë seancës së Parlamentit kërkoi kryetari i Grupit të maxhorancës që të bisedonte me mua për kohën e votimit dhe për mënyrën e votimit. Ramë dakord edhe për orën e votimit, edhe për mënyrën e votimit, duke përcaktuar që votimi është vetëm një, vetëm me fletë dhe me kuti votimi. E theksoj këtë pasi kur ka garë, ka vetëm një mënyrë votimi, vetëm me fletë. Këtë dakordësi të vendosur mes dy kryetarëve të grupeve parlamentare, PD-së dhe PS-së, kryetarja e Parlamentit ia bëri të njohur gjatë seancës së Parlamentit. Seanca e Parlamentit e miratoi atë. Komisioni u miratua dhe mori dakordësinë e seancës së Parlamentit, u shpreh Ruçi. Duke vijuar tregimin telegrafik të seancës së djeshme parlamentare, Ruçi tha se bllokimi erdhi kur maxhoranca kërkoi firmosjen e fletëve të votimit para deputetëve. Komisioni miratoi procedurat, prodhoi fletët e votimit dhe vendosi në sallë kabinat e fshehtësisë, si dhe u ul në tavolinën e punës për të filluar nga procesi i votimit. Përfaqësuesi ynë kërkoi që hajdeni të vulosim fletët e votimit që ishin bërë gati, ti mbarojmë së vulosuri dhe të mos ketë asnjë shenjë në fletën e votimit. Përfaqësuesit e maxhorancës e kundërshtuan atë dhe kërkuan me insistim që fleta, përveç vulës, të kishte edhe firmat e anëtarëve të komisionit të votimit. Përfaqësuesi ynë i thotë dakord, por me kushtin që pasi bënë debate, që sështë ligjore që fleta e votimit të ketë edhe firmën, megjithatë dakord, ejani të firmosim. A, jo, i thonë përfaqësuesit e maxhorancës, fletën e votimit do ta firmosim në momentin që deputeti votues do vijë për ta tërhequr atë. Atëherë, përfaqësuesi ynë e kundërshtoi. Ne biem dakord, tha, që të ketë vulë fleta e votimit, të ketë firmë fleta e votimit, të tria firmat tona ti firmosim dhe vulosim të 139-të fletët e votimit, ti shkartisim ato me qëllim që as unë, anëtari i komisionit të votimit, të mos kem asnjë mundësi të vendos shenjë në fletën e votimit, të identifikoj fletën e votimit me deputetin që do të votojë. Këtu lindi konflikti. Dhe u bllokua votimi në sallën e Parlamentit, u shpreh Ruçi. Sipas tij, pas takimit që zhvilloi me homologun e tij, Patozi, për këtë ngërç, kreu i Grupit demokrat e pranoi kërkesën e socialistëve. E vura në dijeni për këtë situatë. Sigurisht që në fillim z. Patozi kundërshtoi, por pasi unë e sqarova, mora vesh një gjë, që edhe ai ishte dakord me atë që kërkonte përfaqësuesi ynë. E përshëndes qëndrimin e tij, dhe pavarësisht se jam kundërshtar i tij politik dhe pasi ndodhën ngjarjet, më pas mora vesh që kolegu im i maxhorancës ishte kundër kësaj skeme, kundër këtij urdhri që ishte dhënë nga shefi i tij. Dhe ai, sigurisht që skishte dijeni, u shpreh Ruçi.

Topalli: Ruçi rrëmbeu fletët e votimit

Kryetarja e Kuvendit, Topalli

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, reagoi dje përmes një njoftimi për shtyp në përfundim të seancës parlamentare, duke akuzuar kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, se rrëmbeu fletët e votimit për të bllokuar procesin. Për herë të parë sot, Grupi i opozitës dhunshëm kërkoi të ndryshoheshin këto procedura, kërkoi që ti rrëmbente kompetencën sekretariatit të votimit dhe procesi i votimit të administrohej sipas urdhrave që Gramoz Ruçi i merrte me telefon. Në këtë akt dhune, Gramoz Ruçi, pasi konsumoi kërcënimet për bllokim të votimit, rrëmbeu fletët e votimit për të mos lejuar votimin me fletë, tha Topalli. Sipas saj, kjo dhunë e organizuar dhe e qëllimshme është dhunë ndaj Parlamentit, parlamentarizmit dhe shtetit ligjor. Për këtë arsye, kryetarja e Kuvendit shpreh mospajtimin e saj të hapur dhe publik me këtë shfaqje të shëmtuar dhe i bën thirrje Grupit Parlamentar të PS të analizojë me përgjegjësi veprimin dhe ti kthehet Parlamentit dhe shtetit ligjor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›