Pretendimi i PS, jashtëtokësor

Kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi
Kryetari i Grupit të PD sqaron procedurën e votimit në Kuvend pas akuzave nga PS.
Patozi: Po zgjidhnim anëtarin e KLD, jo Papën e Romës.
Kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi, reagoi dje pas deklaratës së Gramoz Ruçit, se PD-ja u shfaq me dy qëndrime gjatë momentit të votimit të anëtarit të KLD-së. Në një konferencë për shtyp rreth tri orë pas mbylljes së seancës parlamentare, Patozi iu përgjigj kreut të Grupit socialist duke thënë se vetëm një fjali lidhur me diversionin e zotit Ruçi për gjoja dy qëndrimet brenda maxhorancës në seancën e sotme. Unë e kam kaluar shumë herët, ose ndoshta nuk ka qenë nevoja kurrë, për provën e besimit politik. Do të më vinte vërtet keq për ty që edhe pas 22 vjetësh të jesh në siklet për të dhënë prova të reja. Kaq. Duke sqaruar komunikimin me homologun e tij në PS, përpara se të niste procesi i votimit me kuti, Patozi tha se kishin rënë dakord paraprakisht për kohën dhe mënyrën e votimit. Ka qenë pikërisht Ruçi që ka kërkuar votimin me kuti, gjë që është pranuar nga maxhoranca. Por, sipas kreut të Grupit demokrat, socialistët fillimisht kërkuan që fleta e votimit të përmbante vetëm vulën. Situata nisi të komplikohej kur kryetarja e Kuvendit deklaroi nisjen e votimit dhe ftoi komisionin që të administronte procesin. Jam njohur fillimisht me një pretendim, që më është dukur jashtëtokësor, të përfaqësuesit të opozitës në komisionin e procedurave të votimit, sipas të cilit, fleta nuk duhet të firmosej nga anëtarët dhe se ajo duhet të kishte vetëm vulën e Kuvendit, tha Patozi. Këtë shqetësim më tej e ngriti edhe Ruçi, i cili kërkoi që fletët e votimit të firmoseshin paraprakisht. I kam thënë zotit Ruçi shprehimisht se nuk jemi duke zgjedhur Papën e Romës, por njërin nga anëtarët e KLD-së dhe se në këto rrethana nuk mund të shpikim procedura të reja të Kuvendit të Shqipërisë. Me të njëjtën mënyrë ky Parlament ka zgjedhur disa presidentë dhe mjaft dinjitarë shumë më të lartë se anëtari i KLD-së, ndaj edhe nuk na shkon që ta prishim atmosferën për kaq gjë, u shpreh më tej Patozi. Sipas tij, rreth dy minuta më vonë e kam parë homologun tim në sallë në krye të një grupi deputetësh të Partisë Socialiste, duke mbajtur me duar Kryeministrin për të mos e lejuar të votonte. Disa sekonda më vonë, i njëjti personazh rrëmbeu një grusht fletësh votimi nga tavolina e komisionit të procedurave të votimit, duke e bërë vijimin e procesit praktikisht të pamundur.
Strazimiri
Deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, tha dje se votimi për zgjedhjen e Elvis Çefës si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ishte në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Sipas deputetit demokrat, opozita bëri përpjekje për të bllokuar votimin, ndërsa Parlamenti funksionon, pavarësisht deklaratave të Ramës. Në deklaratat e Ramës nuk ka asgjë thelbësore me të cilën mund të merremi. Ai tha 5-6 batuta në konferencë dhe asgjë politike, u shpreh Strazimiri, ndërkohë që e quajti kandidaturën e Ardian Vishës të ofruar në mënyrë të paturpshme nga opozita.
ADI SHKEMBI