E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruci Berisha po ben gati grabitjen e radhes

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci, në konferencën e fundit për shtyp për vitin 2010, ka akuzuar kryeministrin Berisha se po përgatit vjedhjen e zgjedhjeve të ardhshme.

“Berisha nuk zbatoi rekomandimet e KE-së. Berisha po planifikon që zgjedhjet e ardhshme t’i grabisë si ato të 2009-ës”, ka deklaruar Ruci.

Përfaqësuesi më i lartë i PS në Parlament ka komentuar edhe akuzat që kryeministri i bëri kryeprokurores, pas rrëzimit të akuzave të PD ndaj kryetarit të opozitës, Edi Rama.

“Berisha sulmoi prokuroren e përgjithshme, pasi mori vesh se ajo deklaroi, duke rrëzuar akuzat e Berishës ndaj Edi Ramës, si shpifje, një sajesë të turpshme dhe si një bllof atë që Berisha e bëri vjershë në gojën e të gjithë deputetëve të mazhorancës, për një 20 përqindsh”, ka pohuar Ruci.

Ndërsa përsa i takon vendimit të KQZ për djegien e fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, Ruci e ka cilësuar atë si një regji të kryeministrit për të asgjesuar provat e grabitjes së votave.

Ai ka theksuar se opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesa e saj për transparencë dhe ka paralajmëruar se ajo do të reagojë me protesta.

“Ristani realizoi skenarin që kishte hartuar regjisori i tij. Materiali që përmbajnë kutitë nuk mund të varroset dot. Ne do vazhdojmë të jemi cdo ditë në protestë për votën e lirë”, ka nënvizuar Ruci.

Më tej ai ka kritikuar kryeministrin edhe për nismën e tij kundër korrupsionit, të cilën e kishte prezantuar dy vjet më parë Partia Socialiste, si dhe për mashtrimin që sipas tij u ka bërë pensionistëve, të papunëve, ish-ushtarakëve dhe arsimtarëve, të cilët i ka lënë pa pension dhe pa shpërblim për fundvitin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›