“Akuzat e Braçes, shpifje dhe trillime politike”
Prokuroria pushon çështjen ndaj deputetes Albana Vokshi
Prokuroria e Tiranës i konsideron të pabaza akuzat e deputetit socialit, Erjon Braçe ndaj ligjvënëses së Partisë Demokratike, Albana Vokshi.
Përmes një deklarate për shtyp, këshilltari për Median i Prokurorisë së Përgjithshme, Plator Nesturi tha se “Prokuroria e Tiranës ka konkluduar se të dhënat e pasqyruara në deklaratën e deputetit Erion Braçe, në lidhje me veprime në kundërshtim me ligjin të nëpunësve shtetërorë në rastin e marrëveshjeve hidrokarbure, të lidhura ndërmjet shoqërisë “Albpetrol” sh.a dhe shoqërisë “Stream Oil & Gaz” Ltd”, nuk parashikohen nga ligji si vepër penale. Prandaj sipas Nesturit, Prokuroria e Tiranës ka vendosur pushimin e çështjes.
Edhe për të dhënat e pasqyruara nga deputeti Erion Braçe, për dhënien me koncesion për ndërtimin e 6 hidrocentraleve mbi lumin Kardhiq për shoqërinë “Albaenergiaplus”, Prokuroria e Tiranës ka vendosur ndarjen e çështjes dhe vazhdimin e hetimit për shkak të kompleksitetit të veprimeve hetimore dhe kohës së nevojshme për përfundimin e tyre.
Për të arritur në këto përfundime, prokuroria e Tiranës ka kryer te gjitha veprimet e mundshme hetimore si pyetja ndaj Vokshit dhe Braçes; pyetjen e të gjithë ortakëve të shoqërisë “Vision Construction” dhe njëkohësisht kur është konsideruar e domosdoshme është kryer ballafaqimi në mes këtyre shtetasve.
Njëkohësisht janë pyetur të gjithë personat, pyetja e të cilëve është çmuar e domosdoshme për rrethanat e hetimit si dhe është marrë i gjithë dokumentacioni i nevojshëm dhe i domosdoshëm në Bashkinë Tiranë, në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në shoqërinë “Albpetrol” sh.a, si dhe në kompanitë të cilat janë përfshirë në objektin e hetimit.