Ligji djeg politikën e Edvinit, vendoset asgjësimi i fletëvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka votuar dje “pro” zbatimit të Kodit Zgjedhor, që sjell edhe djegien e fletë-votimeve. Aksioni ligjor pritet të nisë menjëherë pas ditës së Ujit të Bekuar, 6 janarin e ardhshëm, dhe pritet të zgjasë dy muaj
Merr fund edhe debati më shumë se 18 mujor për fatin e fletëve të votimit të zgjedhjeve të qershorit 2009. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje me 4 vota asgjësimin e fletëve të votimit dhe arkivit të materialeve zgjedhore, një proces që do të nisë më 7 janar dhe i parashikuar për të përfunduar më 5 mars.
Përfaqësuesit e opozitës dhe dy anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi dhe Artan Laze, e kundërshtuan projekt-aktin që parashikonte vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bazuar në nenin 178 pika 6 të Kodit Zgjedhor dhe u larguan nga mbledhja. Pas fjalës së Subashit përfaqësuesit e PS-së janë larguar nga mbledhja e KQZ-së.
Ndërkohë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani e konsideroi si hipokrizi pretendimet e përfaqësuesve socialistë duke theksuar se ata ndërkohë që pretendojnë që të zgjidhin çështjet pa pritur çohen dhe largohen nga KQZ. Përfaqësuesi i PS-së Genc Gjonçaj ka theksuar se vendimmarrja e sotme është e paracaktuar.
Sipas tij, kryetari i KQZ-së Arben Ristani i bindet urdhrave politikë duke mos respektuar ligjet në fuqi.
KQZ miratoi gjithashtu edhe ngritjen një komisioni që do të drejtoje procesin e hapjes së kutive të fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore, seleksionimin, arkivimin dhe asgjësimin e fletëve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publik edhe relacionin si dhe projektvendimin, ku parashikohet se hapja e kutive, boshatisja e tyre dhe transportimi i fletëve në vendin ku do të bëhet djegia, do të zgjasin 60 ditë.
Vendimi i djeshëm konsiston në djegien e fletëve të votimit dhe dërgimin e materialeve zgjedhore në Arkivin e Shtetit, gjë që kundërshtohet fort nga PS. Pikërisht ky vendim ka qenë dhe objekti i debatit mes opozitës dhe mazhorancës për më shumë se një vit, ndërsa ka shkaktuar përplasje të forta mes palëve në seancat e fundit të parlamentit.
PS ka këmbëngulur që materialet zgjedhore të merren direkt nga KQZ, ndërsa mazhoranca kërkon dërgimin e tyre në Arkivin e Shtetit, prej ku mund të tërhiqen për t’ju vënë në dispozicion komisionit hetimor për zgjedhjet, nëse ai do të ngrihej, gjë që nuk është arritur as në seancën e fundit për këtë vit.
Djegia e fletëve të votimit
Neni 78, pika 6, e shpreh në mënyrë të qartë se me mbarimin e procesit zgjedhor, KQZ hap kutitë e materialeve zgjedhore dhe të fletëve të votimit. Djeg fletët e votimit dhe çon në Arkivin e Shtetit materialet zgjedhore.
Flet kreu i KQZ-së Arben Ristani
“Bojkoti i mbledhjes nga përfaqësuesit e PS, njëanshmëri politike dhe shkelje e betimit”
Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të djegur fletët e votimit, sigurisht që shkaktoi pakënaqësi në radhët e përfaqësuesve të Partisë Socialiste, por ajo që nuk pritej, ishte bojkoti i mbledhjes nga ata.
Dëshira Subashi dhe Genc Gjonçaj, të cilët morën pjesë në mbledhjen e KQZ-së si përfaqësues ligjorë të Partisë Socialiste, kundërshtuan vendimin e shumicës, ndërsa në shenjë proteste vendosën të lënë mbledhjen.
Kreu i KQZ-së, Arben Ristani e dënoi këtë veprim të Subashit dhe Gjonçajt, duke e quajtur atë si shkelje të betimit nga ana e dy përfaqësuesve të PS-së.
“Të mbash qëndrim të pastër politik dhe të largohesh nga komisioni është njëanshmëri dhe shkelje e betimit të bërë në Parlament”, ka reaguar Ristani.
Sipas tij, koha për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore nuk është e mjaftueshme, ndërsa me këtë rast kërkoi edhe bashkëpunimin e forcave politike, për të përfunduar në një proces korrekt dhe sipas standardeve të OSBE/ODIHR-it.
Një vit e gjysmë pas përfundimit të zgjedhjeve të 2009-ës dhe dy ditë pasi në Parlament nuk u arrit një marrëveshje për ngritjen e një komisioni hetimor për këto zgjedhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të zbatojë nenin 178.6 të Kodit Zgjedhor.
Debatet në mbledhjen e KQZ-së
Genc Gjoncaj
“Interesi ynë për materialet nuk ka përfunduar. Ky interes ka lidhje me transparencën dhe zgjedhjet e ardhshme, prandaj sot po merrni një vendim shkatërrues. Edhe duke djegur fletët e votimit ju nuk duhet të bëni Neronin e shekullit të njëzetenjë”.
Arben Ristani
Do të jenë 3 procese, djegia e fletëve, seleksionimi i materialit që mund të ripërdoret dhe materiali që do të shkojë në Arkivin e Shtetit. Akti për të cilin jemi mbledhur është në zbatim të ligjit të Kodit Zgjedhor, të martuar me konsensus mes palëve politike, që ia ka lënë KQZ-së të vendosë. Do ishte mirë që të referoheshit tek ligji dhe jo tek politika”.
Dëshira Subashi
“çfarë mund të vazhdojmë ne kur përplasemi kaq fortë, kur politika nuk të jep besim për t’u futur në zgjedhje. Unë jam kundër djegies së kutive. Vendimmarrja 4-3 është një çështje besimi dhe unë nuk jam pjesë e shqyrtimit të këtij materiali”.