Ruçi: Berisha po përdor dhunën për të vjedhur votën

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste Gramoz Ruçi në një deklaratë për shtyp akuzoi kryeministrin Sali Berisha se po manipulon dhe po përdor dhunën për të vjedhur votën. Ruçi denoncoi ngjarjen e djeshme ku sipas tij vëllai i Kryetarit të minibashkisë nr.3 ka dhunuar deputetin Ilir Gjoni. Kreu i grupit parlamentar në selinë rozë u shpreh se kryeministri Berisha po nxit kriminelët të dhunojnë të zgjedhurit e opozitës dhe për të përhapur terrorin.
“Dhuna e ushtruar nga Ilir Gjonit tregon qartë se përpara vjedhjes së votës pushteti i Sali Berishës nuk kursen asgjë, as dhunën ndaj deputetëve dhe as dhunën ndaj opozitës. Dhunë që ushtrohet pa pikë frike sepse ligji nuk ndëshkon askënd. Ky është shteti i Sali Berishës që nga një anë përgjërohet për bashkëpunim me opozitën dhe nga ana tjetër nxit falangat e republikës së frikës që të dhunojnë opozitën" theksoi Ruçi.
Ai ka akuzuar kryeministrit Berisha se po nxit kriminelët të dhunojnë të zgjedhurit e opozitës dhe për të përhapur terrorin ndërsa ka shtuar se kjo ngjarje nuk do të kalojë në heshtje pasi opozita nuk do ta lejojë që dhuna ndaj çdo qytetari të mos mbetet pa ndëshkuar.
“Ky pushtet i kapur nga krimi e mafia në oborrin e qeverisë, që dhunon qytetarët e sot merr guximin të ngrejë dorën mbi përfaqësuesit e popullit dëshmon se pushteti i Berishës të vjedh, të dhunon e të vret për të ruajtur pushtetin. I them sot Sali Berishës tërhiqi njerëzit nga rruga e dhunës dhe tërhiqu vet”, shtoi Ruçi.