Ruçi: Berisha, tutor i shtetit, shërbëtor i Fazllicit
Tiranë- Deputeti socialist Gramoz Ruci, duke e quajtur të turpshëm fjalimin megalloman të Berishës në parlament ka garantuar se PS-ja do të japë mbështetje maksimale për prokurorinë në punën e saj.
“Ne kërkuam të vinte Berisha e të jepte shpjegime për mikun, jo se nuk i dimë bëmat, por se duhet që të pandehurve tu jepet e drejta për të folur. Berisha nuk foli, në prokurori nuk shkon, Sali Berisha sot injoroi parlamentin, publikun dhe periodikisht ka injoruar shtetin e së drejtës, prokurorinë duke spekuluar me imunitetin politik”- tha Ruçi.
Ai ka kujtuar se Berisha dje në opozitë se kishte problem t’i shkatërronte, sot po i përvëlon me ligje, me antishtet, megallomaninë, hipokrizinë, mashtrimin, fshehjen e krimit që përdori edhe sot.
“Ju e keni marrë peng shtetin tonë dhe e keni vënë në shërbim të familjes. Ti bën politikë mbi fatkeqësitë njerëzore, ti akuzon kundërshtarët për cdo paudhësi, na akuzove për klanin e zemunit, sot rezulton se je i lidhur vetë”- tha ai, duke theksuar se kreu i qeverisë i ka shërbyer regjimit të Miloshevicit, duke u shitur si patriot i madh, ndërkohë që nuk la gjë pa bërë kundër interesave të Kosovës.
Ruci ka theksuar se Berisha po mbështet grupime me interesa të dyshimta në Ballkan, “i dhe naftë makinës së Serbisë, denoncove Rambujenë dhe s’pranove luftën e ushtrisë kosovare në krah të NATO-s”.
Asnjë njeri, sipas tij, as Berisha dhe as Fazllic, se kanë pranuar ndonjëherë krimin. “Ne ia kemi borxh shqiptarëve që na kanë sjellë këtu që të mbështesin prokurorinë. Kaq kërkojmë ne socialistët, kaq edhe deputetët në sallë, përjashto një që është kryeministër”- tha ai.
Ruci e ka akuzuar Berishën si mbrojtës i një mashtruesi, ndërkohë që nuk pyet për interesat e shqiptarëve. “Pengimi që i bën drejtësisë, të bëjnë punën e tyre është krim po aq, në mos edhe më, se vetë krimi që mund të ketë kryer Fazllici. Ai ka hesape për të larë me shtetin e ti, kurse ti e ke kthyer shtetin tënd në shërbim të larjes së surratit të Fazllicit. Ti rreshtohesh me krimin me të cilin je në luftë për të ndërtuar shtetin tënd, je shërbëtor i Fazllicit dhe tutor i shtetit për të cilin ne paguajmë me taksa, varfëri e jetë”- përfundoi Ruci.