Ruçi-Berishës: Nuk ke guxim të përballesh me Topin. Plehrat, ligji i parë që do rrëzojmë
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i është përgjigjur kryeministrit Berisha në Kuvend, duke deklaruar se PS kërkon referendum për ligjin e plehrave.
Ai ka thënë se nëse mazhoranca e miraton ligjin e importit të plehrave, opozita do ta rrëzojë atë sapo të vijë në pushtet.
Në lidhje me akuzat e Berishës për krijimin e partive, Ruçi ka thënë se ai nuk ka guxim që të përballet me presidentin Topi dhe po përpiqet që ta bëjë atë palë me opozitën.
Ti nuk ke guxim ta përmendësh presidentin Topi dhe përpiqesh që ta bësh aleat me ne, duke na përmendur lindjen e partive të tjera. Por, ai ka dalë nga familja jote politike dhe mos u përpiq që të na përfshish ne në konfliktet e tua politike.
Ne jemi të qartë dhe nuk do të lejojmë importin e plehrave. Sot ka dy alternativa, ajo e jotja që lejon importin e plehrave dhe alternativa tjetër, ajo që nuk lejon importin e plehrave, që mbështetet nga ne.
Nëse vendos sot që të importosh plehrat, të siguroj që në seancën e parë në Kuvend, kur të vijmë në pushtet, ligji i parë që do të rrëzojmë, është ai i plehrave.
Duhet të dëgjojmë popullin dhe votuesit për ligjin e plehrave, pasi ata a kanë votuar. Duhet të bëjmë një referendum, ka thënë Ruçi gjatë fjalës së tij.