Kutitë e dëmtuara dhe kodet shkaktojnë tension në KQZ
Kandidat i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha udhëheq garën në Tiranë me 71 vota avantazh, ndaj Edi Ramës së koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli dje procesin e hapjes së kutive të votimit, për të gjetur votat e hedhura gabim në njësitë numër 6 dhe 7. Në orët e paradites u krye numërimi i fletëve të hedhura gabim në kutitë e njësisë numër 6, që përkon me zonën e Kombinatit. Nga të dhënat zyrtare, kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama mori 27 vota, ndërkohë që Lulzim Basha mori 20 vota. Në total u gjetën 47 fletë votimi të hedhura gabim. Nga numërimi i fletëve të hedhura gabim, në 190 kuti votimi, në këtë njësi Rama pati një avantazh me 7 vota. Në orët e pasdites dhe deri në darkë u numëruan 195 kuti të njësisë numër 7, prej të cilave 20 vota i kanë shkuar kandidatit të PD-së Lulzim Basha dhe 23 kandidatit socialist Edi Rama. Dita e djeshme u mbyll me një avantazh të Bashës prej 71 votash, përballë rivalit të tij në këtë garë Edi Rama. Gjatë mbledhjes së djeshme, krahas rivlerësimit të fletëve, vijuan të konstatohen të njëjtat probleme, si edhe në ditët e shkuara me kodin e pestë të sigurisë, që mbyll hapësirën e kutisë ku hidhen votat. Përfaqësuesit e PS kanë denoncuar faktin se kodi i pestë nuk është i pasqyruar në proces-verbalet e grupeve të numërimit. Në një kuti është vërejtur një mospërputhje me njërin prej katër kodeve të sigurisë që mbyllin kapakun e kutisë, mospërputhje që shumica në KQZ ia ka atribuar një gabimi njerëzor. Po ashtu, në kutinë e një qendre votimi, janë gjetur fletë të një tjetër qendre votimi. Në një rast tjetër, një kuti në pjesën plastike që bashkohet me kapakun ka qenë e thyer dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste thanë se prej saj mund të nxirren zarfe me fletë votimi. Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i vuri në provë përfaqësuesit e PS për ta nxjerrë një zarf dhe këta të fundit arritën ta fitonin këtë “betejë”. Ristani vendosi që ky rast të hetohet, ndërkohë që përfaqësuesit e Partisë Socialiste thanë se në bazë të ligjit, kjo kuti duhet shpallur e parregullt. Pas hapjes së fletëve të kësaj kutie, u gjet një votë për kandidatin Lulzim Basha dhe dy vota të Partisë demokratike për këshillin, që i përkisnin një tjetër qendre votimi. Konkretisht, kutia me probleme i përkiste qendrës së votimit 1861/1, që gjendej në shkollën “Shyqyri Peza”, kurse dy fletët e tjera ishin të qendrës 1858, e vendosur në shkollën “Myslym Keta”. Përfaqësuesi i PD në KQZ, Njazi Kosovrasti sqaroi se nuk është shqetësues fakti nëse mungon kodi i pestë në kuti ose jo. “Përderisa në kuti nuk janë gjetur fletë tepër apo mangut, atëherë nuk kemi pse shqetësohemi për këtë çështje, më duket e tepruar”, vlerësoi Kosovrasti. Sipas tij, është e vërtetë që ka raste që mungojnë kodet, por kjo ka ndodhur pasi është përfunduar numërimi në KZAZ përkatëse, komisionerët kanë shënuar kodet në tabelën përmbledhëse me shpejtësi dhe i kanë dorëzuar në KQZ. Sakaq, përfaqësuesi i PS në këtë institucion, Genc Gjonçaj, deklaroi se i gjithë procesi po kalon me parregullsi dhe problematika ndërsa gjithçka po deformohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.