E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Koalicioni ynë me mbi 20 parti

Fatjona Mejdini

Kreu i grupit parlamentar të PS-së përsërit ofertën ndaj LSI-së

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, deklaroi dje se koalicioni i opozitës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të përbëhej nga më shumë se 20 parti. Po kështu ai theksoi se PS vijonte të mbetej e hapur për një bashkëpunim me Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës, por me kushtin e rëndësishëm, që kjo forcë të dilte nga koalicioni qeverisës. Në një intervistë në News 24, Ruçi theksoi se aleanca me LSI-në në këtë moment kur kjo parti ishte në qeveri, nuk mund të mendohej. Asnjëherë nuk kemi thënë jo, jemi të hapur për tiu bashkuar një koalicioni me të gjitha forcat politike që nuk janë dakord me këtë qeveri. Nëse LSI-ja bie dakord që kjo qeverisje ka dështuar dhe ajo largohet nga qeverisja, atëherë ne jemi të hapur të bashkohemi me çdo parti, edhe me LSI-në. Vullneti politik i PS-së është, por kjo mbetet te LSI-ja. Nëse LSI-ja ikën nga pushteti dhe i bashkohet aksionit politik të opozitës, pse jo, deklaroi Ruçi, duke shtuar se i vetmi rast i bashkëpunimit me LSI-në në qeveri kishte qenë ai për zgjedhjen e Presidentit të ri. Por nga ana tjetër, Ruçi theksoi se PS ishte e hapur dhe për një aleancë me parti si Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit dhe po kështu Aleanca Demokratike e Kreshnik Spahiut. Çdo parti që pranon programin le të bashkohet me ne me qëllimin për të rrëzuar regjimin e krijuar në vend. Dera jonë është e hapur, deklaroi Ruçi, i cili theksoi se aleatëve do tju plotësohet çdo gjë të cilën e lejon Kodi Zgjedhor. Ai theksoi se PS ishte e përgatitur për një aleancë të madhe me mbi 20 aleatë dhe shtoi se në muajt në vijim do të hartoheshin dhe detajet e këtyre bashkëpunimeve. Ruçi theksoi se gjithashtu se nuk besonte që ish-kryeministri i vendit, Fatos Nano të kryente ndonjë aksion kundër opozitës së vendit, duke theksuar se çdolloj aksioni tjetër do të ishte në të drejtë të tij. Në lidhje me ish-kryeministrin e PS-së, Ruçi theksoi se ai e kishte propozuar emrin e tij te Berisha për Presidentin, por theksoi se Berisha kërceu përpjetë nga emri i Nanos, ndonëse ky i fundit i ka shërbyer disa herë. Duke folur për çështjen e imunitetit, Ruçi theksoi se PS nuk do të pranonte të hiqte imunitetin pa bërë ndryshime të tjera shtesë në Kushtetutë. Por ai theksoi se në thelb qeveria nuk ishte e interesuar për heqjen e imunitetit, por vetëm kërkonte të fajësonte opozitën për dështimin e radhës me statusin e vendit kandidat. Nëse qeveria do ishte interesuar për heqjen e imunitetit kjo do të ishte realizuar më herët. Në bisedimet e muajit maj, në tryezën e negociatave mes Berishës dhe Ramës, kryetari i PS-së, Rama i kërkoi shkoqur dhe hapur për 1 orë e gjysmë rresht, duke bërë këto propozime, president konsensual, reformë parlamentare, reformë zgjedhore, heqjen e imuniteteve. Këto ishin kërkesat që Rama ia shtroi në tryezë, kërkesa e pestë ishte që brenda qershorit të përfundonte. Do ishte hequr imuniteti që në qershor, theksoi Ruçi, por ai theksoi se kishte ende kohë që mazhoranca të shqyrtonte propozimet e opozitës për çështjen e reformës në drejtësi. Ai e quajti referendumin një marrëzi kushtetuese dhe një alibi që mazhoranca do ta përdorë përpara shqiptarëve për dështimet e radhës.

F.Mejdini 

Ruçi: Koalicioni ynë me mbi 20 parti burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›