Opozita vendos kusht të ri pas deklaratës së Patozit
Zhvillimet
Fullani – Rama nuk i kurseu akuzat ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullanit, duke ironizuar dhe vëmendjen e tij të madhe në ekipin e volejbollit.
Gjykatat – Kreu i PS-së akuzoi dje mazhorancën se nuk lejonte që anëtarët e gjykatave të zgjidheshin me shumicë të cilësuar, pasi i donte ata nën shërbimin e saj.
Kuvendi – Reforma parlamentare ishte një çështje e ngritur nga Rama në mbledhjen e grupit socialist, duke e konsideruar këtë një element të paplotësuar të marrëveshjes së nëntorit.
Debati
Drafti për Gjykatën e Lartë kërkohet të hyjë bashkë me paketën
Një ditë pasi përfaqësues të lartë të mazhorancës në Parlament e konsideruan draftin e sjellë nga opozita për ndryshime kushtetuese si një paçavure, deputetët socialistë në Komisionin e Ligjeve vendosën kushte të reja. Pikërisht dje në mbledhjen e parë të Komisionit të Ligjeve për këtë sesion parlamentar, opozita kërkoi shtyrjen e diskutimit te projektligjit për Gjykatën e Lartë, i parashikuar në kalendarin e Komisionit të Ligjeve në 10 shtator. Sekretari i PS-së, për çështjet e drejtësisë, Fatmir Xhafaj, njëkohësisht nënkryetari socialist i këtij komisioni deklaroi se në fillim duhet të shqyrtohej paketa e opozitës për çështjen e reformave në drejtësi, sepse këto drafte kishin lidhje me njëra-tjetrën. Por ky qëndrim i Xhafajt hasi në kundërshtimin e fortë të kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, demokratit Ilir Rusmali. Sipas tij, nisja e shqyrtimit të draftit të socialistëve është parashikuar të bëhet tri ditë pas shqyrtimit të ligjit për Gjykatën e Lartë dhe kjo gjë tashmë nuk mund të ndryshojë. Konferenca e Kryetarëve ka përcaktuar kalendarin për Këshillin e legjislacionit për amendamentet kushtetuese, shqyrtimin ditën e enjte më datë 13. Jemi të detyruar ti bindemi vendimit të Parlamentit dhe Konferencës së Kryetarëve. Do të thotë që opsionet tona janë që ky projektligj të trajtohet ose ditën e hënë ose ditën e martë. opsione të tjera ne nuk kemi. Nuk shoh motiv për të ndryshuar kalendarin. Është më mirë ta lëmë kështu siç është e pastaj të shohim sesi do të zhvillohen çështjet, deklaroi Rusmali, duke kërkuar që të respektohet afti i vendosur fillimisht në kalendarin e punëve të Kuvendit. Por deputeti i PS-së, Xhafaj theksoi se ishte logjike që në fillim të shqyrtoheshin nismat e opozitës dhe pastaj ajo e mazhorancës për Gjykatën e Lartë. Nuk bën sens që ndërkohë që ne do të duhet të diskutojmë për të marrë një vendim, bëjmë projektligjin për Gjykatën e Lartë e më pas vazhdojmë me ndryshimet kushtetuese, deklaroi Xhafaj, i cili theksoi se gjithsesi opozita nuk do të ndryshonte qëndrim. Në draftin e të majtëve, zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese duhet bërë me 3/5 e votave në Kuvend. Ndërsa në projektligjin e qeverisë për Gjykatën e Lartë është shtuar numri i anëtarëve në 19 gjyqtarë. Gjithashtu, është shtuar gjykimi i çështjeve me karakter administrativ, si dhe janë përforcuar kriteret: gjyqtarët duhet të kenë jo më pak se 13 vite pune, nga të cilat të paktën 5 pranë Gjykatës së Apelit.
F.M
Opozita vendos kusht të ri pas deklaratës së Patozit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip