E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Pro draftit vetëm nëse plotësohen kushtet tona

Partia Socialiste është shprehur pro draft-marrëveshjes së propozuar nga Partia Demokratike vetëm nëse në të do të përfshihen disa nga problemet e ngrituara prej saj.
 

Duke folur në tryezën e partive politike për zgjedhjet e 8 majit, kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi theksoi se PS-ja është dakort me draftin nëse pjesë e kësaj marrëveshjeje do të bëhet edhe transparenca pas elektorale.
 

Duke paraqitur një sërë shkeljesh të bëra gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit 2009, Ruçi theksoi se vetëm duke përfshirë edhe transparencën pas zgjedhjeve do ta bënte këtë marrëveshje të vlefshme.
 

Sipas Ruçit problemi i dytë që duhet të përfshihet në marrëveshje është edhe transparenca e listave të zgjedhësve të cilat janë pikë kyçe për zhvillimin e zgjedhjeve.
 

“Listat janë një pikë kyçe për zhvillimin e zgjedhjeve dhe ka shenja të dukshme për një deformin të këtyre listave dhe në tërësi të gjithë procesit. Ka dublime në lista dhe ka të dhënë të plota se janë regjistruar persona edhe pas afatit përfundimtar të publikimit të listave” theksoi Ruçi.
 

Disa nga pikat e tjera që duhet të përfshihen në marrëveshje sipas Ruçit është përdorimi i makinave verifikuese për letërnjoftimet elektronike, rikthimi i ligjshmërisë së KQZ, kthimi i vendimeve me shumicë të cilësuar sipas kodit zgjedhor dhe kthimi i vendimeve me shumicë të cilësuar.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›