Patozi: Bashkëpunimi i partive me rëndësi për zgjedhjet

Partitë politike parlamentare janë mbledhur sot në një tryezë për të diskutuar për procesin e përgatitjeve të zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Tryeza është thirrur nga Partia Demokratike ndërsa në tryezë merr pjesë edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth.
Në fjalën e tij kreu i grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi theksoi se bashkëpunimi i partive është mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e zgjedhjeve sipas standarteve të kërkuara.
Ai gjithashtu ka paraqitur një draft-marrëveshje e cila sipas tij do të sillte një klimë të re besimi mes palëve dhe një besim për votën e shqiptarëve.
Patozi, gjithashtu theksoi se një nga pikat e marrëveshjes është edhe udhëzimi i partive për komisionerët e tyre që ata të mos largohen nga detyra gjatë procesit zgjedhor dhe që ata të plotësojnë të gjitha standardet e duhura në funksion të zgjedhjeve lokale sa më korrekte, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Sipas tij, mbetet përgjegjësi e partive politike, mbarëvajtja e procesit zgjedhor të 8 Majit, pa iu kushtuar kohë dhe energji asaj çka ka ndodhur deri më tani, por duke kërkuar më të mirën e mundshme për një proces korrekt zgjedhor.
Sipas Patozit disa nga pikat e paraqitura në marrëveshje janë edhe detyrimi i partive politike të përmbushin çdo deturim ligjor për të kontribuar një fushatë të qetë dhe me etikë dhe shmangie e ushtrimit të presionit mbi zgjedhësit dhe administratën.