E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Zaganjori, i papranueshëm nga opozita. Patozi: Raundi i parë, i dështuar

Gazeta Shqip

Me përzgjedhjen e kandidaturës së mazhorancës për president të republikës, Xhezair Zaganjori, mazhoranca, përmes kreut të grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi i ka propozuar opozitës kandidatin e saj. Por ka ardhur menjëherë refuzimi nga ana e opozitës dhe përfaqësuesit të saj në bisedimet për çështjen e presidentit, Gramoz Ruçi, i cili e ka cilësuar kandidaturën e përzgjedhur nga mazhoranca si të papranueshme nga ana e opozitës. Në përfundim të takimit mes dy negociatorëve për presidentin, Ruci ka folur për mediat ku ka shprehur pakënaqësinë tij për mosmarrjen parasysh nga ana e mazhorancës të kërkesës së opozitës për zgjidhjen e 4 çështjeve të propozuara për tu zgjidhura nga ana PS.

Sot në këtë takim, i cili nuk ishte për të negociuar, por për të dhënë kandidatin e njëanshëm,  nuk u kërkua mendimi dhe gjykimi i opozitës për të dhënë një zgjidhje të vërtetë të problemit. Është një qëndrim i njëanshëm i pozitës. Shpresoj se mazhoranca do të reflektojë dhe do ti japë vendit një president konsensual, – theksoi Ruçi.

Ndërkohë, kreu i grupi të PD, Astrit Patozi theksoi faktin se me refuzimin e opozitës, e cila sipas tij është një histori paragjykimi dhe skenar që përsëritet, raundi i parë mund të quhet i dështuar pasi nuk do të votohet kandidati i propozuar nga mazhoranca. Por, ai e cilësoi këtë qëndrim të PS si një përpjekje për ta futur procesin në një rrugë pa krye.

Sot ne erdhëm me një propozim real, me një kandidaturë të formalizuar nga të gjithë aleatët e qeverisë. Na u tha shprehja e Ramës se, ne nuk pranojmë një kandidaturë të PD. Për ne ishte kandidaturë konsensuale. Mazhorancës nuk mund ti mohohet e drejta për të zgjedhur presidentin. Refuzimi i opozitës nuk është se ishte befasues. Ne do të përpiqemi sërish, me shpresën se opozita do të tërhiqet, por përgjigjja e opozitës e bën të dështojë raundin e parë të votimit të presidmetit, u shpreh Patozi.

30 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)

Ruçi: Zaganjori, i papranueshëm nga opozita. Patozi: Raundi i parë, i dështuar burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›