Ruçi: Zaganjori për ne nuk është kandidat, nuk njohim asnjë që nuk vjen nga tryeza e bisedimeve
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, duke folur në emisionin Top Story, ka thënë se Zaganjori nuk mund të jetë kandidat për president, përderisa emri i tij nuk ka dalë nga tryeza e bisedimeve.
Problemi madhor, në një Shqipëri me shumë probleme është se grupimet kryesore nuk e shikojnë njëri-tjetrin si kundërshtar, por armiq. Kundërshtari nuk pranon dialogun. E thashë dje dhe e them edhe sot, në demokraci kundërshtari nuk zgjidhet. Unë skam dëshirë të ulem me Berishën, por jam i detyruar, dua apo sdua unë, sepse demokratët shqiptarë e kanë votuar dhe unë jam i dënuar dhe i detyruar të ulem e të debatoj. E njëjta vlen edhe për të. E dyta, marrëveshja nuk bëhet me vete, por me kundërshtarin. Nuk ka kandidat zyrtar, prandaj nuk dua të flas, tha Ruci.
Për Partinë Socialiste janë tre skenarë të mundshëm, e para zgjedhja e presidentit me konsensusin e të gjitha partive parlamentare, e dyta zgjedhja e presidentit nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe e treta, që kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi e cilëson si zgjedhja më e keqe e mundshme, është zgjedhja e presidentit vetëm Partia Demokratike.
Por PD e vetme nuk ka votat e nevojshme për të zgjedhur presidentin pa LSI-në. Për zotin Ruçi një skenar i tillë mund të ndodhë, nëse përsëritet 2007, kur gjashtë deputetët të Partisë Socialiste votuan për kandidatin e propozuar nga demokratët, deri në atë kohë nënkryetar i PD-së dhe kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, Bamir Topi.
Ndërsa sa i përket raportit të Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim Ruci tha se PS dhe LSI aktualisht janë në rivalë politikë, jo partner. Por deputeti socialist vlerësoi qendrimin konstant të LSI-së përsa i përket presidentit duke lënë të hapur mundësinë e konsensusit, ndryshe nga Berisha, që sic tha Ruci, prej një viti trumpeton kandidat një emër nga kryesia e PD-së.
Në media qarkullojnë zërat për një mocion mosbesimi nga ana e PS-së për qeverinë PD-LSI. Mundësia e një mocioni u kundërshtua nga kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Gramoz Ruçi.
Ruci deklaroi se socialistët e kanë kandidaturën e tyre për president, por refuzoi të bëjë publik emrin. Ndërkohë, mundësisë së kandidimit nga ana e PS-së të emrit të Fatos Nanos përballë kandidatit të mazhorancës, Xhezair Zaganjori, Ruci la derën e hapur, duke thënë se opozita nuk përjashton asnjë emër, aq më pak Nanon.
Socialistët këmbëngulin për uljen në tryezë të Berishës dhe Ramës për të diskutuar mbi zgjedhjen e presidentit. Në tryezë PS hedhe katër pika, zgjedhjen e presidentit, reformat zgjedhore e parlamentare dhe heqjen e imunitetit të deputëtëve. Kryeministri Berisha refuzon të ulet në tavolinë negociatash me Ramën duke këmbëngulur që bisedimet të zhvillohen në nivel ekspertësh. Një takim i tij me Ramën, do të ishte i pasuksseshëm, vlerëson kreu i mazhorancës.
Por nëse Berisha vendos të ulet në negociata, a do të lëshojë Partia Socialiste nga tre pikat e saj, imunitetit, reforma zgjedhore dhe reforma parlamentare duke u përqendruar tek zgjedhja e presidentit? Kësaj pyetje zoti Ruci iu përgjigj duke argumentuar se PS synon të sigurojë dy kushte, e para pavarësia e presidencës nga mazhoranca, dhe e dyta, pavarësia e përmirësimi i insitucioneve që varen nga presidenti.