E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, Rama: Smbështesim kandidaturat pa konsensus

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama

Kryetari i Partisë Socialiste takoi sot në selinë rozë kandidatin e mazhorancës për president, Xhezair Zaganjori, me kërkesën e këtij të fundit.

Rama tha se Partia Socialiste vazhdon të  kërkojë një proces të munguar, ku të gjitha palët parlamentare të përfshihen në një dialog konstruktiv.

Për Partinë Socialiste mbetet shumë e qartë se nga një proces dialogu konkret mes qeverisë e opozitës dhe konsultimesh intensive mes palëve parlamentare duhet të shkohet drejt emrit të presidentit të ri, jo anasjelltas. Prandaj edhe Partia Socialiste nuk do ta mbështesë në asnjë rast një kandidaturë të paraqitur pa proces dhe në rrugë krejt të njëanshme nga qeveria, u shpreh Rama gjatë takimit me Zaganjorin.

Kreu i PS-së theksoi se këto deklarata vlejnë konkretisht edhe për kandidaturën e Xhezair Zaganjori, qoftë për çdo kandidaturë që do të paraqitej apo paraqitet nga qeveria nëse mungojnë dialogu konkret dhe konsultimet e domosdoshme për gjetjen e një kandidati apo kandidateje të dakordësuar mes qeverisë e opozitës.

Partia Socialiste mbetet plotësisht e angazhuar për një proces politik dobiprurës, në funksion të kalimit të provës shumëplanëshe për  zgjedhjen e presidentit. Kohë për të humbur si deri më sot nuk ka dhe konsultimet duhet të nisin menjëherë, në një tryezë dialogu konkret të nivelit më të lartë mes palëve për ti dhënë një shans real raundit të dytë dhe vetë Shqipërisë, u shpreh Rama.

Kryesocialisti shtoi se, vetëm kështu mund të ndërtohet konsensusi i domosdoshëm që do të zgjidhte pozitivisht njërën nga katër pikat kyçe të paketës për të synuar statusin e vendit kandidat në BE, atë të zgjedhjes së presidentit të ri, si edhe do të krijohej hapësira e nevojshme kohore për të ecur shpejt drejt zgjidhjes konsensuale të tri pikave të tjera. /E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›